Statistikat, të ardhurat për frymë 2900 USD në vit
zirina llambro
Rreth 50% e punëtorëve që nuk i përkasin sektorit bujqësor punojnë në të zezë. Të dhënat vijnë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO). Sipas kësaj organizate, problematik mbetet sektori i ndërtimit dhe bizneset e vogla ku punëtorët nuk deklarohen. Me gjithë progresin në dekadën e fundit, Shqipëria vazhdon të mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë, me të ardhura kombëtare për frymë përafërsisht 2,960 dollarë në vit. “Ekonomia informale po sjell dëme serioze për individët, ndërmarrjet dhe shoqërinë në përgjithësi. Në vendin tonë ekonomia informale vlerësohet se kontribuon në rreth një të tretën e prodhimit të përgjithshëm bruto”, vlerësojnë specialistët. Për të reduktuar këto fenomene, Ministria e Punës prezantoi dje programin shqiptar për punën e denjë. Në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës janë përcaktuar prioritetet e këtij programi. “Bizneset duhet të ndërgjegjësohen që njerëzit të sigurohen. Qeveria do të krijojë një sistem mbrojtës për këtë kategori punonjësish”, u shpreh ministri i Punës, Kosta Barka. Administrimi më i mirë i tregut të punës, reforma e skemës së sigurimeve shoqërore dhe rritjen e aftësive profesionale të partnerëve, janë pikat kyçe të programit të ri, që do të zgjasë deri në 2010. Sakaq nga të dhënat rezulton se, 40% e popullsisë në moshë pune aktualisht punon jashtë vendit. Rreth 32 % e fëmijëve të moshës 6 deri 17 vjeç punojnë dhe përfshihen në aktivitete të jashtëligjshme, pasi familjet e tyre janë tejet të varfra.Krahasuar me meshkujt, femrat kanë një pjesëmarrje shumë më të ulët në forcat e punës. Niveli i përgjithshëm i papunësisë i regjistruar në fund të vitit 2007 ishte 13.18 për qind. ILO vlerëson se Shqipëria është një nga vendet evropiane me popullsi të re, pasi 46% e qytetarëve të saj janë të moshës nën 25 vjeç. “Të punojmë të gjithë në zbatimin e programit të punë së denjë 2008-2010, i cili pa diskutim jep një ndihmesë shumë të madhe në rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore, reduktimin e ekonomisë informale dhe përmirësimin e sistemit të mbrojtjes shoqërore”, u shpreh ministri Kosta Barka.
Statistikat
50% e punëtorëve janë në të zezë Të ardhurat për frymë 2,960 dollarë në vit 40% e popullsisë në moshë pune punon jashtë 32 % e fëmijëve 6 - 17 vjeç punojnë 13.18 për qind niveli i papunësisë