E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, gradohen “spiunët” në administratë

 

adi shkembi

“Spiunët” në administratë, që denoncojnë korrupsionin dhe për këtë shkak largohen nga puna, do ta rifitojnë sërish atë vend pune. Një masë e tillë do të hyjë në fuqi, pasi parlamenti të votojë një shtesë në “Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë”, të miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Kështu pas nenit 10 të Kodit të Punës është shtuar neni 10/1, i cili sanksionon ruajtjen e zyrtarëve që denoncojnë korrupsionin. “Çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm. Kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e ankimit në gjykatë. Raportimi i fakteve që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional”, thuhet në shtesën e miratuar dje në mbledhjen e qeverisë. Gjithashtu, në ndryshimet e Kodit Civil është përcaktuar edhe dëmshpërblimi që duhet të kryej personi, i cili nëpërmjet kërkimit ose ofrimit të një avantazhi deformon kryerjen e një detyre. Më konkretisht, pas kreut II të Kodit civil shtohet kreu II/1 në të cilin thuhet se “personi, që nëpërmjet kërkimit ofrimit, dhënies a pranimit të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloj tjetër avantazhi a përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar”. Sipas kësaj shtese në Kodin Civil, dëmi i shkaktuar nga veprimet korruptive kompensohet kur i padituri ka kryer ose ka autorizuar aktin e korruptimit, ose ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të duhur, për ta parandaluar aktin e korruptimit si dhe kur paditësi ka pësuar dëmtimin. Por në të njëjtën kohë përcaktohen edhe rastet kur kompensimi për shpërblimin e dëmit nuk bëhet. “Kompensimi për shpërblimin e dënimit nga veprimet korruptive pakësohet ose hiqet në rrethanat, kur personi i dëmtuar me faj ka ndihmuar në shkaktimin e tij”, thuhet në nenin 639/3 të miratuar dje. Në këto dispozita ligjore vendosen gjithashtu, edhe afate për ngritjen e padisë. “Për kërkimin e shpërblimit të dënimit, afati për parashkrimin e padisë është tre vjet, duke filluar nga data, që personi ka pësuar dëmtimin ose bëhet i ndërgjegjshëm për dëmin e pësuar dhe për personin, që e ka shkaktuar. Personi i dëmtuar nuk mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit, pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptiv”, thuhet më tej në këto ndryshime. Në të njëjtën kohë, çdo kontratë që ka për objekt veprime korruptive, ose kontratat që janë të lidhura me to, në çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme.

Shtesat në Kodin Civil

Pas kreut II, titulli IV, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shtohet kreu II/1, me nenet përkatëse, me këtë përmbajtje:
“KREU II/1
Përgjegjësia nga veprimet korruptive
Neni 639/1
1. Personi, që nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit, të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloji tjetër avantazhi a përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.
2. Kompensimi i dëmit mund të mbulojë dëmtimin material, humbjen e përfitimeve dhe humbjet jomonetare.
Neni 639/2
Dëmi i shkaktuar nga veprimet korruptive kompensohet kur:
a) i padituri ka kryer apo ka autorizuar aktin e korruptimit, ose ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të duhur, për ta parandaluar aktin e korruptimit;
b) paditësi ka pësuar dëmtimin;
c) ka një lidhje shkakore ndërmjet aktit të korruptimit dhe dëmit.
Neni 639/3
Kompensimi për shpërblimin e dëmit nga veprimet korruptive pakësohet ose hiqet në rrethanat, kur personi i dëmtuar, me faj ka ndihmuar në shkaktimin e tij.
Neni 639/4
Për kërkimin e shpërblimit të dëmit, në zbatim të nenit 639/1, afati për parashkrimin e padisë është tre vjet, duke filluar nga data, që personi ka pësuar dëmtimin ose bëhet i ndërgjegjshëm për dëmin e pësuar dhe për personin, që e ka shkaktuar.
Personi i dëmtuar nuk mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit, në zbatim të nenit 639/1, pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptiv.
Neni 639/5
Çdo kontratë, që ka për objekt veprime korruptive, ose kontratat, që janë të lidhura me to, në çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme.

Shtesa në kodin e punës
Pas nenit 10, të kreut III, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shtohet neni 10/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 10/1
1. Çdo masë ose sanksion administrativ i pajustifikuar, që është marrë ndaj punonjësve, të cilët kanë arsye të dyshojnë për korrupsion e që këtë dyshim ua paraqesin personave përgjegjës ose autoriteteve kompetente, është i pavlefshëm.
2. Kundër vendimit të dhënë në mënyrë të pajustifikuar për shkakun e mësipërm, punonjësi ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
3. Raportimi i fakteve, që kanë lidhje me korrupsionin, nuk përbën shkelje të detyrimit të sekretit profesional.”

Burg deri në 6 vjet për krime kompjuterike

Kërcënimi që mund t’i bëhet një personi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për ta vrarë rrezikon gjobë deri në tre vjet burgim. Sipas disa shtesave në Kodin Penal, të shqyrtuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë theksohet se: “Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, që i bëhet një personi, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për shkak të përkatësisë së tij në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Në të njëjtën kohë, shpërndarja e materialeve të krimeve kundër njerëzimit do të dënohet me burg deri në gjashtë vjet. “Ofrimi në publik ose shpërndarja e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike e materialeve, që mohojnë, minimizojnë në mënyrë të konsiderueshme, miratojnë ose justifikojnë akte që përbëjnë gjenocid ose krime kundër njerëzimit dënohen me tre gjer në gjashtë vjet”, thuhet në nenin 74/a të kodit penal. Sipas këtyre shtesave “futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve me mashtrim një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t’i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në gjashtë vjet dhe me gjobë nga 60 mijë gjer në 600 mijë lekë”. Gjithashtu, kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se njëherë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale dënohet me burgim nga pesë gjer në 15 vjet dhe me gjobë nga 500 mijë gjer në pesë milionë lekë.

Ilir Beqja: Korrupsioni në çdo qelizë të shtetit

Nënsekretari socialist për programin Ilir Beqja, duke komentuar raportin e Transparency International, shprehet se përcaktimet e tyre janë në një vijë paralele me konstatimet e vazhdueshme të socialistëve, përsa i takon shkallës së lartë të korrupsionit.  “Sot, pas tre vjetësh, jo vetëm që nuk e luftoi korrupsionin, por e instaloi në çdo qelizë të shtetit. Shqiptarët, sot, që trokasin në çdo zyrë të shtetit, përfshirë edhe zyrën e kryeministrit duhet të paguajnë, sepse kur nuk paguajnë nuk marrin asnjë shërbim. Kjo është arsyeja pse dashamirësit e shqiptarëve në të gjithë botën, përfshirë edhe Transparency International, vazhdojnë të kërkojnë të njëjtën gjë: “Shkëputje të administratës publike nga militantizmi partiak dhe vendosje të saj në shërbim të qytetarit”, tha Beqja. Sipas zyrtarit socialist, “për fat të keq Shqipëria vazhdon të mbetet ende larg, me rekorde të pakrahasueshme, me çdo vend të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe të pranuarit rishtas”. Duke folur për rëndësinë e reformave në drejtësi, Beqja tha se: “Kjo qeveri akoma nuk ka sqaruar korrupsionin e Gërdecit, akoma nuk ka sqaruar asnjë konstatim të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vjedhjet masive në tre vitet e fundit. Kjo qeveri është sot e gjitha në hetim dhe prandaj sulmon Prokurorinë dhe gjykatat”.

Shitja e ndeshjeve, 7 vjet burg

adi shkembi

Pas akuzave të shumta për shitje ndeshjesh dhe justifikimeve se nuk ka baza mbi dënimin e këtij fenomeni, tani trupimi i tyre do të dënohet me ligj.
Deklaratat e forta të Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha për shitjen e ndeshjeve të kombëtares, por jo më pak edhe ato të kampionatit shqiptar dhe ndeshjeve të skuadrave tona në përballjet evropiane u pasuan pak kohë më vonë me propozime për dënimin e trukimit të rezultateve. Tani shitja e ndeshjeve rrezikon burg deri në dy vjet, ndërsa përfitimi nga shitja e tyre, rrezikon deri në shtatë vjet burg.
drafti
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë u shqyrtua propozimi i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj për disa shtesa dhe ndryshime në kodin penal të Republikës së Shqipërisë. Më konkretisht, pas nenit 197 të Kodit penal është shtuar një dispozitë ligjore, e cila sanksionon dënime të ashpra për trukimet e ndeshjeve. “Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për përcaktimin e rezultateve në garat sportive kombëtare ose ndërkombëtare në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëqind mijë gjer në tre milion lekë ose me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 197/a “Paracaktimi i rezultateve në gara sportive”. Ndërkohë në këtë dispozitë ligjore është parashikuar një dënim akoma edhe më i ashpër, nëse trukimi i ndeshjeve bëhet për arsye përfitimi financiar. “Po kjo vepër (paracaktimi i rezultateve) e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga dy gjer në dhjetë milion lekë”, theksohet në paragrafin e dytë të këtij neni.
Akuzat për trukime
Deklaratat e trajnerëve dhe presidentëve për trukime ndeshjesh nuk kanë munguar në asnjë sezon gjatë viteve të fundit. Por dënimi i këtij fenomeni duket se mori një tjetër drejtim, kur Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha folën ashpër ndaj fenomenit të shitjes së ndeshjeve, madje duke iu referuar rasteve konkrete siç ishin dy ndeshjet e fundit të kombëtares sonë ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë për eliminatorët e kampionatit evropian. Fillimisht ishte kreu i qeverisë, i cili hodhi akuza ndaj një grupi mafioz, siç i quajti ai, që ka shkelmuar flamurin kuqezi, në mes të Evropës. “Turpi që kanë bërë, aty është flamuri kombëtar, ajo nuk do të mund të kapërcehet, ç’është ai grup mafioz që shkelmon mbi flamurin, që bën një amoralitet të madh në mes të Evropës si përfaqësuesi i kombit. Kam pritur një reagim shumë më të madh nga mediat dhe shoqëria civile, ai ishte një poshtërim, fyerje për tifozët e Shqipërisë dhe shqiptarët, të cilët kanë ndjekur këtë futboll më me pasion se çdo gjë tjetër. Kanë skuqur me flamur kombëtar jo vetëm stadiumet e Shqipërisë, por edhe stadiumet e Evropës. Duhet të marrë përgjigjen më të rreptë”, u shpreh Kryeministri. Deklaratat e kreut të qeverisë nuk u mirëpritën nga komuniteti i futbollit dhe gjithçka për faktin, se nuk ka bazë ligjore, aq më pak prova, që të verifikojnë shitjen e ndeshjeve. Por deklarata e kreut të qeverisë u pasua nga ajo e kreut të shtetit, Bamir Topi, i cili tha se ky është një moment për të reflektuar lidhur me këtë fenomen. “Përfytyroni se si ndihen këta sportdashës kur shikojnë që brenda lojës ka trukime dhe nuk janë eksperienca thjesht shqiptare. Ky problem, për ata që e njohin futbollin, për ata që janë pjesë e vazhdueshme e atmosferës së futbollit, e dinë fare mirë, që edhe nëse nuk e trukon i gjithë ekipi, janë elementë të veçantë që janë të predispozuar dhe njihen praktikisht. Unë besoj që është një moment, që kërkon reflektim të të gjithëve”, theksoi kreu i shtetit. Pas këtyre deklaratave, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ndërmorën nismën e quajtur “këmbët e pastra”, ku propozonin pikërisht dispozitat në kodin penal, të cilat do të bëjnë të mundur dënimin e shitjes së ndeshjeve.

Substancat e ndaluara
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u shqyrtua gjithashtu, edhe një tjetër dispozitë ligjore, e cila dënon pjesëmarrësit në gara sportive që përdorin substanca të ndaluara. Kështu pas nenit 197/a të Kodit Penal të republikës së Shqipërisë është shtuar neni 197/b, i cili përcakton një dënim nga gjoba deri në burgim dy vjet për sportistët, që përdorin stimulantë të ndryshëm. “Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive nga pjesëmarrësit, nëpërmjet përdorimit të substancave të ndaluara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”, thuhet në ndryshimet në kodin penal të shqyrtuar gjatë ditës së djeshme. Një dispozitë e tillë deri tani nuk ekzistonte duke e bërë të pahetueshëm përdorimin e substancave të ndaluara te sportistët.

Shifrat e votimi

Neni 197/a
Përcaktimi i rezultateve në gara sportive
Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për përcaktimin e rezultateve në garat sportive kombëtare ose ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë ose me burgim nga tre muaj deri në dy vjet.
Po kjo vepër (paracaktimi i rezultateve) e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga dy deri në dhjetë milionë lekë.

Neni 197/b
Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive
Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive nga pjesëmarrësit, nëpërmjet përdorimit të substancave të ndaluara, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›