Adoleshenti: Anglezët abuzime seksuale me katër fëmijët e tjerë
TIRANE - David Braun sillej mirë me fëmijët e jetimores, ndërsa Dino (Chriostodoulou) dhe Naçja (Janaq Papleka) silleshin keq me ne. F. Kovaçi, tashmë 18 vjeç është një nga fëmijët që është sulmuar nga pedofilët teksa banonte në mjediset e fondacionit “Fëmijët e tij”. Dje para gjykatës ai tregoi gjithçka ndodhte në mjediset e fondacionit, ndërsa mbrojti të pandehurin Braun. Kovaçi tha se mund të ketë qenë fundi i vitit 2001 ose fillimi i vitit 2002, kur bashkë me të atin ka shkuar në jetimoren “Fëmijët e tij”. Davidi i kishte thënë të qëndronte tri ditë aty dhe nëse nuk i pëlqenin kushtet të largohej, ndërsa ky kishte pranuar të qëndronte. “Trajtoheshim mirë. Të paktën Davidi sillej me ne si baba i vërtetë. Naçi, na çonte në shkollë me makinë”, pohoi adoleshenti para gjykatës. Më tej ai mohoi të kishte dijeni për abuzimin e dy të miturve, D.A. dhe A.Q., të cilët akuzojnë Braunin t’i ketë dhunuar seksualisht. “Davidi sillej shumë mirë. Ai i donte ata sikur t’i kishte fëmijët e tij. I çonte vetë në shkollë dhe interesohej për ecurinë në mësime. Unë nuk i kam parë asnjëherë të shqetësuar ata”, tha Kovaçi. I pyetur nga Braun se çfarë kishte ndodhur që ishin larguar nga shtëpia greko-anglezi Dino Christodoulou dhe Janaq Papleka, dëshmitari u përgjigj se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur konkretisht, por ata u larguan nga shtëpia me urdhër të Davidit. Më pas dëshmitari tregoi se cili ishte aktiviteti i përditshëm në jetimore, duke marrë në mbrojtje të pandehurin Braun, i cili sipas tij lante vetë fëmijët nën 10 vjeç në banjën e katit të dytë, duke u përkujdesur si prind. Ndërsa i pyetur nëse kishte pasur ndonjë incident gjatë qëndrimit në fondacion, Kovaçi tha se njëherë ndërsa qëndronte në mbrëmje në verandën e jetimores, ishin ngjitur me shpejtësi Dino, Janaqi dhe katër fëmijë të tjerë, të cilëve greko-anglezi i kishte urdhëruar ta mbanin dëshmitarin nga duart dhe këmbët dhe ai e kishte puthur në buzë. Pas kësaj ai tha se vetë nuk kishte pasur incidente të tjera, por nga fëmijët e tjerë kishte dëgjuar të abuzoheshin nga Dino dhe Janaqi. Madje për të vërtetuar këtë ai pohoi se ishte gati në cilindo moment të ballafaqohej me ta para gjykatës, madje do dëshmonte edhe në proceset në ngarkim të tyre, nëse do thirrej.