E Diel, 1 Nëntor 2026

Mastera 1-vjeçarë për universitetet e rretheve

 

 
Mastera 1-vjeçare për universitetet e rretheve. Do të përfitojnë studentët që ndjekin shkollën e lartë në Gjirokastër, Elbasan, Korçë e Shkodër. Kështu qeveria vendosi dje të çelë pranë universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, në fakultetin e Mësuesisë, mastera të nivelit të parë në mësuesi për ciklin e lartë të arsimit bazë. Përkatësisht në lëndët Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi. Kohëzgjatja e tyre është një vit  dhe realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit. Të njëjtat mastera do të ofrojë edhe Universiteti i   Korçës, në lëndët Gjuhë-Letërsi, Gjuhë Angleze. Sa i përket universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, gama e degëve ku do të ketë mastera 1-vjeçare është më e gjerë. Ato do të ofrohen në lëndët Gjuhë-Letërsi, Biologji-Kimi, Gjuhë Italiane, Gjermane, Gjuhë Frënge, Angleze. Mastera të nivelit të parë do të hapen që nga ky vit edhe në Universitetin e Shkodrës. Ato do të ofrohen në lëndët Gjuhë-Letërsi, Matematikë-Fizikë, Matematikë-Informatikë, Biologji-Kimi, Gjuhë Angleze dhe Gjermane. Përpos kësaj po dje qeveria vendosi të hapë 3 degë të reja në qytetin e Lushnjës. Ato do të jenë pjesë e filialeve, të fakultetit të Ekonomisë e të Agrobiznesit dhe atij të Bujqësisë e të Mjedisit, si njësi përbërëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Vendimi i djeshëm i qeverisë vendosi hapjen e programeve të studimit, të ciklit të parë, “Drejtimi i fermave dhe i agrobiznesit”, “Financë-kontabilitet” dhe “Hortikulturë”. Këto programe studimi realizohen me 180 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Numri i kuotave të pranimeve, në secilin nga këto programe studimi, me kohë të plotë, për vitin akademik 2008-2009 është 25. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që regjistrohen në vitin e parë, me kohë të plotë, është 15 000 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›