“Edukimi e ardhme e sigurt”, mbledh aktorët
Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën (SHKEJ) organizoi dje takimin me temë “Edukimi, një e ardhme e sigurt”. Ky takim u zhvillua me rastin e përfundimit të projektit “Program ndërhyrjesh sociale të integruara për fëmijët e rrugës në Tiranë”, financuar nga CARITAS S. POLTEN, RENOVABIS, ADA dhe fillimin e programit të ri. Me të ftuar nga institucionet publike, donatorë dhe organizata që punojnë me fëmijët, SHKEJ prezantoi punën e bërë gjatë zhvillimit të projektit në fjalë, si dhe perspektivat dhe objektivat që synohen të arrihen me anë të programit të ri trevjeçar. Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën, është një shoqatë shqiptare e themeluar në shkurt të 2003 dhe zhvillon aktivitetin e saj në periferitë e Tiranës, duke pasur si mision promovimin e figurës njerëzore dhe integrimin social të personave, duke i kushtuar vëmendje të veçantë të miturve në vështirësi, veçanërisht atyre që konsumojnë fëmijërinë e tyre në rrugë. Prej shtatorit të vitit 2003, SHKEJ po realizon projektin “Program shërbimesh sociale të integruara për fëmijët në vështirësi në Tiranë”. Prej këtij projekti në tre vitet e fundit kanë përfituar shërbime 123 fëmijë të rrugës në vështirësi social–ekonomike, dhe 54 prej tyre tashmë janë regjistruar në shkollë, gjithashtu kanë përfituar asistencë dhe mbështetje 115 familje. Ndërkohë që nga viti 2006 SHKEJ në marrëveshje me DART, financuar nga CESAL me fonde të AECI (Agjencia për Zhvillim e Ministrisë së Jashtme spanjolle) ka hapur 4 klasa të integruara për 60 fëmijë të moshës nga 8–13 vjeç, të cilët kanë braktisur shkollën dhe janë në risk braktisjeje. Këtë vit shkollor 2008–2009 do të hapen dhe 2 klasa të tjera, nga të cilat do të përfitojnë dhe 30 fëmijë të tjerë në risk braktisjeje.