Mjekët ligjorë: Trebicka bëri aksident
Trazhgim Sokolaj
Mjekësia Ligjore tha fjalën e fundit të saj, duke e klasifikuar ashtu siç pritej vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka, si aksident. Megjithëse në akt-ekspertizën e saj Mjekësia Ligjore shprehet se dëshmitarit të dosjes “Gërdeci” iu shkaktua vdekja prej politraumës së aksidentit automobilistik, në vetë argumentimin e dhënë për këtë, ekspertët shprehen se kanë analizuar mundësinë e vrasjes së Kosta Trebickës. “Është analizuar gjaku i viktimës për lëndë alkoolike apo helmuese. Janë bërë analiza për dëmtimin e organeve nga sëmundje apo simptoma të shfaqura në momentin e aksidentit. Është verifikuar mundësia e dëmtimit apo goditjes me mjete të forta ose prerëse, por të gjitha këto teste kanë rezultuar negative”, thuhet në raportin e Mjekësisë Ligjore të hartuar për vdekjen e 52-vjeçarit shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka. Sipas burimeve hetimore, analizat kanë përfunduar ditën e djeshme, ndërsa ato pritet t’i bëhen të ditura zyrtarisht Prokurorisë së Korçës, e cila ka regjistruar në hetim dosjen penale të hapur pasi Kosta Trebicka u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta, në zonën e Lekasit, ku ndodhej për gjueti. Duke iu referuar edhe analizave që janë bërë mbi gjakun e gjetur në vendin e ngjarjes si dhe të gjitha mostrave të tjera identifikuese, mjekët ligjorë kanë konstatuar se ato i përkasin viktimës dhe në vendngjarje nuk ka pasur persona të tjerë. Në këtë mënyrë mjekët ligjorë përjashtojnë mundësinë e vrasjes së shqiptaro-amerikanit apo edhe shtyrjes së tij në aksident nga persona të tjerë.
Vdekja misterioze
Sipas raportit të Mjekësisë Ligjore, Kosta Trebicka ka humbur jetën si pasojë e një goditje në pjesën e pasme të kokës. Nga ekspertiza është saktësuar se goditja nuk ka qenë lokale, por me sipërfaqe të gjerë, madje ajo ka përfshirë veç kokës dhe qafës edhe një pjesë të gjoksit të viktimës, duke dëmtuar organet jetësore në këto pjesë të organizmit. Me këtë argument, sipas të cilit plaga duket qartë se nuk është shkaktuar me mjete prerëse apo goditje me sende të forta, mjekët ligjorë argumentojnë se shtypja mund të jetë shkaktuar në momentin e saltos së makinës, kur automjeti ka rënë përsipër 52-vjeçarit në momentin kur ai ra në mes të rrugës. Megjithatë, Mjekësia Ligjore nuk jep asnjë sqarim për mënyrën si u gjet trupi i Kosta Trebickës në gjendje krejt të çliruar pas një rrëzimi aq të rrëmujshëm gjatë batimit të fuoristradës së tij. I vetmi argument i mjekëve ligjorë në mbështetje të këtij versioni, ka qenë se truri i biznesmenit kishte pushuar nga puna dhe si rrjedhim trupi ishte krejtësisht në gjendje të çliruar. Sipas burimeve nga Prokuroria, pavarësisht se ka dhënë një version për ngjarjen, ekspertiza mjeko-ligjore e cila përmbledh më tepër se gjashtë analiza shkencore, gjithsesi nuk mund të thuhet se i ka dhënë fund hetimeve. Pjesë e rëndësishme e tyre është ekspertiza autoteknike e makinës dhe ajo e vendit të ngjarjes, të cilat pritet të krijojnë një ide më të qartë për mekanizmin e asaj që ka ndodhur në të vërtetë me biznesmenin Trebicka. Prej një jave, ekspertët janë duke bërë verifikime mbi automjetin e viktimës si dhe një sërë matjesh me qëllim riprodhimin e ngjarjes, e megjithatë këto procedura parashikohet të zgjasin së paku edhe për dy javë.
Akuza: Eksperti amerikan do të rikthehet sërish
TIRANE – Eksperti amerikan Kevin Teter, nga policia e Virxhinias, i cili qëndroi për pesë ditë në Shqipëri duke bërë hetime për vdekjen e Kosta Trebickës, do të rikthehet përsëri në Shqipëri. Ai është larguar tri ditë më parë në drejtim të SHBA-ve, bashkë me dosjen e shënimeve dhe provave që ka mbledhur gjatë këqyrjes së makinës së Kosta Trebickës dhe verifikimit në vendin ku ndodhi ngjarja. Pa bërë asnjë koment për mënyrën si ka vdekur biznesmeni, eksperti amerikan mësohet se është larguar para kohe për arsye personale. Ai ka lajmëruar vetëm se ekspertimi i tij do të vazhdojë në SHBA për disa ditë, ndërsa rezultatet e arritura do t’ia bëjë të ditura me postë sekrete Kryeprokurores Ina Rama. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, mësohet se eksperti amerikan do të rikthehet në Shqipëri nëse shikohet e nevojshme për hetimet, ndërsa raporti përfundimtar për makinën dhe matjet në vendin ku vdiq Kosta Trebicka, pritet të jenë gati për Prokurorinë në mesin e muajit tetor 2008. da.bi