E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, sherr me armë mes shqiptarëve, 4 të plagosur

FROSINONE – Konflikt me armë mes shqiptarëve në Frosinone të Italisë. Katër persona kanë mbetur të plagosur ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane ndërsa policia dyshon se shkaku i grindjes ka qenë për larje hesapesh. 3 prej të plagosurve janë goditur me plumba në këmbë dhe vetëm njëri ka marrë një plumb në gjoks.

Ngjarja ka nisur rreth orës 1 të mbrëmjes së djeshme në një apartament të vogël, ndërsa më pas sherri ka vazhduar jashtë. Policia dyshon se shqiptarët janë konfliktuar për shkak të punëve të paligjshme që kryenin në shtetin fqinj.
Të plagosurit janë transportuar për në spital, ndërsa vetëm njëri prej tyre paraqitet në gjendje të rëndë e në rrezik për jetën.

Policia italiane është vënë në kërkim të një personi të pestë, pjesëmarrës në konflikt, i cili dyshohet si autori kryesor i plagosjes së 4 shqiptarëve, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Sipas pistës së policisë, dyshohet se pikërisht personi në kërkim, edhe ai shqiptar i ra citofonit të shtëpisë kur 4 shqiptarët ishin brenda. Më pas, mes tyre nisi një sherr dhe personi në kërkim duket se ka shtënë me armë zjarri e më pas është larguar duke përdorur një makinë tip mercedez me ngjyrë të zezë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›