Trukimi i ndeshjeve, autoritetet sportive në alarm
BERLIN- Megaskandali i trukimit të ndeshjeve i denoncuar nga Prokuroria e Bokumit, që ka zbuluar mbi 200 ndeshje të fiksuara, ka vënë në alarm të gjitha autoritetet sportive në Evropë. Presidenti i Federatës Gjermane Teo Zvanziger deklaroi në një konferencë për shtyp se ky krim nuk mund të luftohet vetëm nga federatat e sportit. “Është e pamundur që një federatë sportive të luftojë krimin e organizuar, sidomos atë të karakterit ndërkombëtar, - tha Zvanziger. – Për asnjë sekondë nuk pretendoj se mund ta zhvillojmë këtë luftë të vetëm, kjo është një çështje kriminale dhe ne kemi nevojë për prokurorët”, deklaroi ai. Ndërsa zëdhënësi i Federatës Gjermane dhe njëkohësisht menaxher i Ligës Kristian Sajfert tha se kjo çështje doli në dritë në mënyrë aksidentale. “Nëse edhe Prokuroria e shtetit e zbulon këtë rastësisht, atëherë mund ta merrni me mend që asnjë institucion sportiv nuk është në gjendje ta luftojë këtë krim”, tha Sajfert. Deri më tani nga skandali i basteve janë arrestuar 17 persona, 15 në Gjermani dhe 2 në Zvicër, por veprimtaria kriminale është shumë më e gjerë dhe në ditët e ardhshme priten arrestime të tjera. Organizata kriminale që merrej me këtë veprimtari ka paguar arbitra, futbollistë dhe zyrtarë për të fituar minimumi 10 milionë euro, por kjo shihet si maja e ajsbergut. Përfaqësuesi i UEFA-s Karsten Korl tha se e gjithë kjo është një veprimtari tepër e organizuar kriminale, por që është e vështirë t’i gjurmosh të gjitha.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)