E Shtunë, 31 Tetor 2026

U hoqën si klientë, dy të rinj grabitin argjendarinë



Hiqen si klientë, dy të rinj grabitin argjendarinë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën "Bogdani" në kryeqytet në një argjendari që ndodhet pranë kryqëzimit të kësaj rruge me Rrugën e Durrësit. Dy të rinjtë kanë hyrë në dyqan dhe i kanë kërkuar shitësit të shohin varëset e floririt pasi do e blinin një të shtrenjtë. Shitësi u ka treguar disa, ndërsa ata kanë nisur t'i provonin para pasqyrës dhe pasi kanë parë se mbi banak janë vendosur disa ata i kanë rrëmbyer dhe janë larguar me vrap. Në këtë moment shitësi i ka telefonuar policisë, të cilët kanë mbërritur pas pak minutash në vendngjarje. Të parët aty kanë mbërritur policia private që ruante objektin, të cilët kanë ndaluar dy të dyshuarit si autorë. Pas kësaj janë marrë në pyetje disa persona dhe dy prej tyre, të dyshuar si autorë të ngjarjes janë shoqëruar në komisariatin numër tre. Pas kësaj ata janë marrë në pyetje dhe ende nuk dihet nëse policia ka gjetur prova apo jo për të vërtetuar pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje. Burime policore pohojnë se gjurmët e dy vjedhësve tashmë janë marrë në vendngjarje nga ekspertët e kriminalistikës dhe janë dërguar për t'u analizuar në laboratorin e kriminalistikës ku do të krahasohen edhe me gjurmët papilare të dy të dyshuarve si autorë të ngjarjes. Ndërkohë shitësi i argjendarisë ka dhënë deklarime të plota rreth ngjarjes duke pohuar se vlera e sendeve të vjedhura ishte rreth 460 mijë lekë. Shitësi nuk ka pohuar se ata ishin të armatosur, ndërsa ka pranuar se nuk i njihte më parë dy grabitësit. Sipas tij ata ishin hequr si blerës të zakonshëm, madje në bisedën që kanë bërë me të paraprakisht kanë lënë të kuptohej se do blinin vërtet diçka. Nisur nga ky fakt shitësi është treguar i gatshëm për t'iu treguar gjithë varëset që kishte në dyqan, ndërsa ata kanë përfituar nga ky fakt për të rrëmbyer të gjitha ato që ndodheshin në banak dhe të largoheshin me vrap. Edhe momenti kur ata kanë zgjedhur për të kryer vjedhjen ka qenë i zgjedhur më së miri, pasi në atë orë në rrugicën ku ndodhet argjendaria ka shumë pak lëvizje njerëzish, për më tepër që ishte edhe fundjavë. Policia ka nisur tashmë hetimet për të mësuar nëse personat janë të implikuar në grabitje të tjera. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›