E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mistika e debatit

Disa veçori të debatit të sotëm televiziv mund t'i kuptojmë vetëm duke mbajtur parasysh historinë e dashurisë midis televizionit dhe të ashtuquajturve reality shows, të cilat pretendojnë t'i japin publikut imazhe të realitetit ashtu siç ndodh, të zhveshura nga artifici.


Kritiku frëng, Roland Barthes, në një ese për realizmin si metodë në letërsi, e përgjithësisht në art, vërente dikur se nga të gjitha teknikat letrare, ky ishte më artificiali, sepse përpiqej të maskohej si i natyrshëm dhe i vetvetishëm.

Ndoshta kjo vlen të thuhet edhe për televizionin e "realitetit", pavarësisht nga niveli i publikut, të cilit i drejtohet.


Në dukje, debati televiziv ka për qëllim të ndriçojë anë të ndryshme të një çështjeje aktuale ose "të nxehtë", duke ftuar në studio personalitete të ndryshëm, politikanë, dijetarë, intelektualë, juristë, shkencëtarë, artistë dhe në përgjithësi njerëz që u dëgjohet fjala, e duke i vënë të bisedojnë së bashku.


Megjithatë, ky format po kritikohet, ndër të tjera, edhe për mënyrën si zgjidhen të ftuarit në debatet; meqë ka njerëz të cilëve u duket se televizionet, pavarësisht nga ngjyrimi politik dhe niveli i publikut, të cilit i drejtohen, priren të ftojnë për debate të njëjtat figura, të cilat në thelb lëvizin nga një studio në tjetrën, duke përsëritur të njëjtët qëndrime dhe duke u përfshirë në të njëjtit konflikte.


A ekziston vërtet një klikë e tillë shëtitëse, që merr përsipër të trupëzojë në skenë pluralizmin politik dhe kulturor në Shqipëri? Natyrisht që jo; teoritë e komplotit nuk janë veçse një përpjekje paralogjike për të shpjeguar dukuri përndryshe enigmatike, dhe duan trajtuar më shumë si simptoma sesa si hipoteza të mirëfillta, edhe në qoftë se mbështeten prej statistikave.


Që debatet televizive duket sikur janë "monopolizuar" nga të njëjtët debatues, kjo lidhet para së gjithash me nevojën e kanaleve televizive për ta mbajtur publikun të lidhur pas ekranit; dhe asgjë nuk e tërheq më shumë teleshikuesin sesa përsëritja, ose familjariteti me personazhin, siç e ka treguar, tashmë prej kohësh, suksesi i telenovelave, ose tani vonë edhe i reality shows.


Më tepër sesa e ashtuquajtura "klikë shëtitëse", problem i debatit televiziv është, si gjithnjë kur vjen fjala për mass mediat, liria e shprehjes dhe raporti i saj me censurën.


Aq më i mprehtë bëhet ky problem, në rrethanat kur debati kërkon të paraqitet si mishërim i përsosur i lirisë së fjalës dhe i qasjes ndaj së vërtetës nëpërmjet dialogut dhe ballafaqimit të pikëpamjeve të ndryshme.


Mirëpo censura dhe mediumi televiziv nuk ndahen dot lehtë, madje edhe kur produktorët e emisioneve, drejtuesit e tyre dhe vetë pjesëmarrësit në to, nuk ankohen për shkelje të lirisë së fjalës.


Autorë të ndryshëm që kanë analizuar formatin e debatit televiziv, kanë vënë në dukje se censura aty vepron jo vetëm nëpërmjet përzgjedhjes së debatuesve ose mbylljes së skenës ndaj kontributeve nga jashtë, por edhe e sidomos nëpërmjet rolit që luan drejtuesi i debatit ose moderatori.


Edhe vetë zgjedhja e pyetjeve ose e çështjeve për debat, përbën një lloj kufizimi të lirisë së fjalës; sikurse parapëlqimi për t'u ndalur në këtë apo atë aspekt të problemit. Kur diskutohet, bie fjala, rreth një krimi të shëmtuar (p.sh., abuzimit seksual me një fëmijë), drejtuesi i debatit mund të vendosë që të përqendrohet në nevojën për parandalimin e këtyre krimeve ose, alternativisht, në nevojën për zbatim të rreptë të ligjit.


Dihet se moderatori ia imponon debatit televiziv edhe ritmin, duke ndërhyrë sipas rastit dhe duke u kujtuar pjesëmarrësve se po zgjaten shumë, ose po dalin nga tema, ose po ia ndërpresin fjalën kolegut; shpesh këto ndërhyrje, që janë edhe ato pjesë e censurës, kanë të bëjnë me të ashtuquajturin "diktat të kohës" mbi debatin, dhe në thelb tregojnë sa artificiale është krejt formula e këtyre njerëzve që përpiqen t'i qasen një të vërtete ose një zgjidhjeje, ose edhe një ndriçimi adekuat të problemit, të kufizuar jo nga caqet intelektuale të mendimit dhe të përgatitjes së tyre, por nga sekondat e orës së studios dhe nevojat e programit televiziv.


Studiuesit e komunikimit, nëpërmjet mediumit televiziv, kanë vënë në dukje edhe se, për shkak të shtrëngesave kohore, ky medium nuk është konteksti më i përshtatshëm për të shtjelluar mendimin; dhe veçanërisht për të shtjelluar mendimin nëpërmjet dialogut dhe ballafaqimit me mendimin e Tjetrit.


Sociologu frëng, Pierre Bourdieu, flet për fast thinking (anglisht, për "të menduar të shpejtë"), duke iu referuar edhe dukurisë kulturore të fast food, ose të ashtuquajturit makdonaldizim të komunikimit publik.


Bourdieu vëren edhe se, në rrethanat kur pjesëmarrësit në debate televizive nuk kanë kohë të mjaftueshme për të zhvilluar mendimin e tyre dhe sidomos për t'iu përgjigjur, në mënyrë intelektuale, situatave që krijohen gjatë ballafaqimit me mendimin e tjetrit, atëherë vetë debati televiziv priret të koagulohet rreth pak ideve të thjeshta dhe klishé, që i paraekzistojnë debatit vetë.


Kësisoj, debati televiziv nuk prodhon mendim, por vetëm riprodhon strukturat bajate e të shtangëta të hierarkive ekzistuese të mendimit.
Me gjithë këto mangësi, debati televiziv mbetet një nga formatet më të suksesshme, po të gjykosh duke u nisur nga interesi që tregon publiku televiziv, e që vërtetohet nga statistikat e ndryshme.


Ky interes, në thelb, nuk ka të bëjë me natyrën e çështjeve të debatuara, të cilat dihet se do të përzgjidhen në mënyrë që t'u përgjigjen nevojave intelektuale të publikut, por me çfarë ndodh në studio midis të ftuarve, dinamikën e komunikimit mes tyre, personalitetet e tyre, të cilat me kalimin e kohës dhe falë efektit të përsëritjes vijnë e shndërrohen, ato vetë, në elemente të debatit, deri aty sa ta mbizotërojnë.


Në këtë kuptim, debati televiziv nis të mishërojë disa elemente, të cilat, në të kaluarën, i ndesh në folklorin epik dhe pikërisht në rrëfenjat ose këngët legjendare dhe epike, për bëma personazhesh mitike ose historike të mirënjohura; në po atë kuptim siç mund të themi, sot, se telenovela (soap opera, ose show televiziv amerikan) nuk është veçse versioni modern i bëmave të Mujit dhe të Halilit, veçanërisht po të gjykohet nga tiparet e strukturave narrative.


Çka e dallon debatin nga telenovela (ose Cikli i Kreshnikëve), është varfëria e narrativës, në kuptimin që personazhet e atjeshëm, vetëm sa riprodhojnë vetveten duke hyrë në konflikt me kundërshtarët e tyre; dhe kjo dinamikë e afron debatin edhe me eventin sportiv televiziv, i cili e tërheq publikun sa me cilësinë e lojës, aq edhe me familjaritetin e skuadrave dhe të lojtarëve. Nuk është e rastit që suksesi i debateve televizive i ngjan, nga pikëpamja tipologjike, edhe suksesit të ndeshjeve sportive të transmetuara në TV.


Për fat të keq, në rrethanat e sotme të komunikimit, televizioni imponohet si mediumi më i fuqishëm për t'ia përcjellë një mesazh publikut; madje edhe atëherë kur mesazhi është thjesht një ftesë për t'u familjarizuar me këtë ose atë personazh të politikës, të shoqërisë civile dhe të kulturës.


Mbikëqyrësit e opinionit publik në Shqipëri e kanë kuptuar mirë se mass mediat, veçanërisht ato që mbështeten në vizualitetin, kanë edukuar dhe përftuar një lloj publiku, i cili kërkon të identifikohet me imazhe dhe simbole, jo me ide të artikuluara, programe dhe vizione.


Prandaj, edhe kritikëve të mediumit televiziv dhe të gjithë atyre që besojnë se në ligjërimin publik shqiptar ka ende nevojë të ngutshme për përmbajtje, nuk u mbetet veçse të vetëdijesohen, deri në fund, për mangësitë dhe kufizimet e natyrshme të këtij mediumi, të cilat përthyhen edhe në deformimet përkatëse në publik, por edhe në procese politike me rëndësi vendimtare për qytetarin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›