Shtet apo kombformim?
Ndër debatet më të nxehta që pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë, ka qenë dhe debati mbi shtetformimin (krijimin e institucioneve, hedhjen e bazave të shtetit ligjor dhe të së drejtës, reforma administrative, etj.), krahas debatit mbi kombformimin, ku në këtë të fundit nuk kanë munguar avokatët e të dyja krahëve.
Vlejnë të theksohen, sidomos, grupimi i përkrahësve që pavarësia është veç një hap i vogël në rrugën drejt bashkimit përfundimtar të trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor (që përbëjnë dhe shumicën absolute) dhe grupimi i atyre që mendojnë se Kosova është një shtet-komb i ri dhe duhet të theksojë këtë aspekt të dialektizmit historik, duke qasur shtetformimin në një linjë me këtë dinamikë të re.
Vetëkuptohet që ndërmjet këtyre dy ekstremeve, është edhe qasja e ndjekur kryesisht nga elita ekzistuese politike dhe kulturore e Kosovës, ku theksohet ndërtimi i shtetit dhe mekanizmave demokratikë, por anashkalohet, jo pa qëllim, çdolloj tentative komb(ri)formuese, provokuese dhe natyrisht përkundër vullnetit të shumicës së popullsisë.
Natyrisht, pa u hyrë analizave të gjata historike, se nuk është as vendi dhe as qëllimi i këtij shkrimi, do të ishte me rëndësi që shkurtimisht të ravijëzoheshin disa qasje të teoricienëve të njohur ndaj lidhjes komb-shtet dhe sesi kjo ka funksionuar në vende të ndryshme.
Në dialektikën komb-shtet, ka autorë që e vënë theksin te kombi, duke theksuar ontologjinë e tij në krahasim me shtetin dhe duke e quajtur një parakusht të domosdoshëm për lindjen e shtetit. Për filozofin gjerman Fichte, për shembull, shteti është i përulur përpara 'vizionit dhe dashurisë për këtë zhvillim të përjetshëm' që, sipas tij, është kombi.
Në këto linja ecën edhe Anthony Smith, kur vë theksin te ajo që ai i quan 'ethnies', grupe etnike që më vonë shërbejnë si epiqendra e kombit të ardhshëm. Megjithëse në punët e mëvonshme (Smith 1992: 72), ai e korrekton disi këtë korrelacion të pastër grup etnik-komb-shtet, duke pranuar se shpeshherë, koncepti i etnicitetit idealizohet dhe përfton jo rrallëherë përmasa mitike, prapëseprapë ngelet zëri kryesor në këtë grup që klasifikohen dhe njihen ndryshe në literaturë si primordialistë.
Një autor tjetër që i përket këtij grupi e vë theksin të fakti që nacionalizmi imponon homogjenitet (Kedourie 1966), ndërsa një tjetër autor, Homi Bhabha, e merr këtë disi më larg, kur thekson që pikërisht ky homogjenitet nënkupton domosdoshmërisht krijimin e tjetrit në shoqëri dhe sheh në këtë prizëm një korrelacion të fortë ndërmjet nacionalizmit dhe ksenofobisë.
Ka një grup tjetër autorësh në literaturë, që njihen si 'modernistë' dhe vënë theksin sidomos mbi proceset e industrializimit, kapitalizmit dhe progresit teknologjik, si faktorët kryesorë që sollën krijimin e kombit (Gellner 1983). Këta autorë e shohin kombin si diçka moderne që nuk ka ekzistuar më parë dhe zakonisht fillesat e tij i shohin te Revolucioni Francez.
Jo më kot, një nga eksponentët kryesorë të këtij grupi, historiani Hobsbawm, e quan kombin një 'traditë të shpikur' në një nga librat e tij. Të tjerë, si Benedict Anderson (1991), e vënë theksin mbi faktin që pothuajse të gjitha format komunitare kanë të përbashkët faktin që janë të imagjinuara në sensin që, më tepër se të shpikura, idenitetet kombëtare, pra me një fjalë vetë kombi, është një ndjesi që përjetohet si e tillë, 'imagjinohet' nga shumica absolute e anëtarëve që vetëdeklarohen si pjesëtarë të këtij apo atij kombi.
Në fakt, vetëm të imagjinuarit, shpesh, nuk mjafton, prandaj në shumë raste vihet theksi mbi atë që Ernest Renan bukur e ka përkufizuar si 'plebishit i përditshëm' në favor të ruajtjes ekzistuese të kësaj familjeje të madhe që shtrihet përtej familjes, fisit, apo formave të tjera komunitare organizimi.
Anderson, gjithashtu, ka veçuar printimin masiv të shoqëruar nga shtrirjen kapilare nëpërmjet proceseve të kapitalizmit, si faktor vendimtarë që kanë lejuar komunitetet kombëtare të imagjinohen prej fillimit.
Printimi i literaturës dhe shpërndarja për t`u bërë e mundur të arrihet nga masat e gjera, solli dhe zëvendësimin e gjuhës latine, që ishte gjuha zyrtare e Kristendomit (apo siç njihej Europa përpara se të fitonte emrin e ri) me gjuhët vernakulare, amtare, të cilat pasi ndoqën një proces kodifikimi dhe standardizimi, arritën që të krijojnë shtyllën ku u bazua procesi i komb dhe shtetformimit.
I përmenda jo rastësisht këto dy fenomene që shpesh ecin paralelisht, pasi edhe në këtë pikë mendimet e autorëve ndryshojnë, madje dhe kur të dyja palët i takojnë grupit të 'modernistëve', pra, ata që besojnë se kombet nuk kanë ekzistuar përherë, por janë tradita të krijuara apo shpikura shumë vonë (shek. XVIII-XVIIII).
Nëse Gellner-i ndan mendimin se shteti, si organizmi social më i gjerë dhe i pajisur me legjitimitetin që i ka dhënë fuqia e sovranit, është i vetmi që mund të vërë në lëvizje proceset e komformimit dhe të nxisë ndërgjegjësimin kombëtar nëpërmjet proceseve edukative, Miroslav Hroch (1996) ndan mendimin se kombformimi patjetër vjen përpara shtetformimit, sado e kufizuar të jetë koha që i ndan këto dy procese.
Hroch e ndan në tre faza procesin e lëvizjeve kombëtare që, sipas tij, përbëjnë motorin e lëvizjes dhe perpetuimit të kombformimit.
Nga këto, faza e parë është ajo e akulturimit, fitimit të njohurive mbi gjuhën amtare, historinë, folklorin, njohja dhe studimi i tyre fillimisht nga intelektualët apo elita e shoqërisë dhe pastaj shpërndarja në pjesën tjetër të popullsisë.
Këtu vjen dhe faza e dytë, që konsiston jo vetëm në shpërhapjen e njohurive, ngritjen e shkollave në gjuhën amtare, botimin dhe shpërndarjen e librave, artikujve, gazetave dhe periodikëve, por akoma më tej, edhe 'agjitacioni patriotik', thirrjet për një kauzë të përbashkët dhe përdorimi i miteve apo fateve historike për të bërë një kauzë të përbashkët.
Ndërsa në fazën e tretë, sipas Hroch-it, kemi "një strukturë sociale të plotë, që vjen në ekzistencë dhe ku lëvizja [për pavarësi] fillon të ndahet në grupet konservativo-klerikale, liberale dhe demokratike, secila me programet e saj".
Pra, lëvizjet kombëtare që sjellin mobilizimin e shtresave shoqërore dhe për rrjedhojë përbëjnë boshtin kryesor të kombformimit, vijnë ontologjikisht përpara proceseve të ndërtimit të shtetit dhe mekanizmave të tij për Hroch-in.
Pa u zgjatur më tej, nëse i rikthehemi debatit në rastin e Kosovës, ku zërat që flasin për një identitet të mëvetësuar kosovar janë shtuar, pra ku shtetformimi tentohet të tejkalohet dhe të arrihet të sendërtohet një realitet i paqenë, plotësisht në linjë me parimet multietnike të një pjese të ndërkombëtarëve që ecin me të njëjtën recetë anekënd globit, mendoj se kemi të bëjmë me një qasje anapolla të të kuptuarit të marrëdhënies shtet-komb, apo më saktë, të shtetformimit dhe kombformimit.
Të arrish të shpikësh një identitet kosovar të mëvetësuar, kur Kosova ka qenë djepi i formësimit të identitetit kombëtar shqiptar dhe ka luajtur një rol parësor që nga krijimi i Lidhjes së Prizrenit, në 1879-ën e më pas, me patriotët e shquar Hasan Prishtina, Isa Boletini, etj.
dhe kontributin e tyre të çmueshëm në dobi të një çështjeje të pandarë shqiptare, është t`u frysh urave të krahinorizmit, sektarizmit, oportuniteteve personale meskine dhe të luash me vetëdijen historike.
Natyrisht, sot është bërë si trendy kjo puna e çmitizimeve, por e marrë përtej së arsyeshmes, vetëm për të fituar publicitet apo fonde të dyshimta ndërkombëtarësh në projekte pseudo-multikulturore, të përpiqesh të rikrijosh procese imagjinare kombformimi, në kohën kur energjitë dhe burimet duhen përqendruar kryesisht në ndërtimin e mekanizmave shtetërorë dhe institucionalë, është t`i lejosh vetes një luks të tepërt që, mbi të gjitha, nuk ka aspak qëllime thjesht dekorative.
Akoma më e trishtueshme është kur sheh disnivelin e përfaqësimit mediatik, ku 'çmitizuesit' e kombformimit fitojnë paradoksalisht një hapësirë më të gjerë dhe në një kohë kur sistemi edukativ ende është i pakonsoliduar plotësisht dhe me mjaft të meta, si didaktike, edhe përmbajtjesore, natyrshëm që brezit të ri i bie të përballet me një presion të dyfishtë meta-intelektual, që veç sa thellon çorientimin dhe devijon përparësitë.