"Mjekimi i pakujdesshëm vrau time shoqe"
Denoncimi i bashkëshortit drejtuar krerëve të drejtësisë. Gruaja vdiq 20 ditë pasi ishte aksidentuar nga makina
ELBASAN- Një grua ka humbur jetën në Spitalin Ushtarak në kryeqytet 20 ditë pas një aksidenti tragjik dhe bashkëshorti i saj akuzon mjekët për mjekim të gabuar. Çështja ka shkuar në Gjykatën e Elbasanit dhe vendimi ka dënuar mjekun përgjegjës me gjobë për pakujdesi në mjekim. Por prokuroria e Tiranës e ka mbyllur hetimin ndërkohë që ekziston një akt-ekspertizë, e cila tregon mjekimin e gabuar.
Mahmud Koka ka bërë apel në Prokurorinë e Përgjithshme për këtë çështje por dosja e tij ka mbetur pezull. Pas një pritjeje të gjatë ai i drejtohet me një letër kryeprokurorit të Tiranës, Genti Xholi, kryeprokurores së Përgjithshme, Ina Rama, Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Kryeministrit Berisha, e deri edhe presidenti Bamir Topi.
Kaftanaze Koka, 66 vjeç, aksidentohet nga një automjet në 3 tetor të vitit 2005 pranë shtëpisë së saj. Menjëherë ajo transportohet në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Ajo pritet nga mjeku roje, i cili hap kartelën dhe e mjekon për politraumë. Pasi trajtohet me mjekim në spitalin kirurgjik të Elbasanit, e dëmtuara dërgohet në spitalin ushtarak të Tiranës në 6 tetor.
Gruaja shtrohet menjëherë nën shënimin urgjent me gjendje të rënduar. Në spitalin e Tiranës ajo është pritur nga mjeku i turnit S. K, i cili ka kryer një konsultë me mjekun neurolog dhe reanimatorin e turnit. Në vijim pacientes i është bërë skaneri i kokës, i cili ka rezultuar normal.
Gjashtë ditë pasi është mbajtur në mbikëqyrje, mjeku V. K ka kërkuar kryerjen e një grafie të mushkërive dhe në rast se do të rezultonte pa probleme atëherë e dëmtuara duhet të shkonte në pavijon.
Grafia e bërë ka përcaktuar probleme shqetësuese dhe nga mjeku është rekomanduar skaneri i kraharorit. Mjeku radiolog konstaton fraktura të brinjëve dhe dyshime për çarje të rupturës së diafragmës në krahun e djathtë të kraharorit. Tre mjekë të tjerë bëjnë një konsultë dhe vendoset operimi, i cili bëhet një ditë më pas.
Por gjatë kësaj kohe (dhjetë ditë) gruaja ishte mjekuar vetëm për dëmtime të kokës dhe disa fraktura. Ndërhyrja kirurgjikale ka konsistuar në një ndërhyrje plastike në diafragmë duke bërë edhe pastrimin nga lëngu semo-hemorragjik.
Sipas mjekëve, gjendja e pacientes pas operacionit ka ardhur dike u përmirësuar dhe në 17 tetor ajo ka kaluar në pavijon. Por tre ditë më vonë, gjendja e pacientes është rënduar menjëherë dhe është konstatuar mungesë e rrahjeve dhe frymëmarrje e dobësuar. Në 20.10 Kaftanaze Koka ndërron jetë.
Nga ana e mjekëve është bërë analiza e vdekjes dhe bashkë kanë dalë në përfundimin se vdekja e gruas ka ardhur si rezultat i moshës dhe nga komplikacionet e sëmundjeve shoqëruese. Ndërkohë, bashkëshorti i saj mohon që ajo të ketë vuajtur nga sëmundjet e zemrës. Familja nuk ka pranuar kryerjen e autopsisë dhe përfundimisht është përcaktuar si shkak tromboembolia pulmonare.
Por pas hetimeve, mjekët ligjorë Dr. Arben Lloja, as. Prof. dr Fatos Harito dhe Prof. Sokrat Meksi kanë kryer një akt-ekspertim tjetër. Nga ky akt-ekspertim kanë dalë konkluzionet se: 1. Dëmtimet e konstatuara tek Kaftanaze Koka janë shkaktuar drejtpërdrejt nga aksidenti automobilistik dhe kanë qenë të rrezikshme për jetën qysh në momentin e shkaktimit. 2.
Në mungesë të kryerjes së autopsisë shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet por referuar analizës së vdekjes nga mjekët mbi tromboembolinë pulmonare, ky ndërlikim vjen nga qëndrimi i zgjatur në spital, ndërhyrja operatore me vonesë dhe kimizimi i gjakut. 3.
Nga trajtimi mjekësor i pacientes nga mjekët e SQU-së vërehen shkelje në përqendrimin e pjesës së kokës ndërkohë që skaneri ka rezultuar normal. Këta mjekë nuk kanë kryer menjëherë grafi të kraharorit, EKO të barkut dhe konsulta për vlerësimin e gjendjes, ekzaminim me prekje, dëgjim, trokitje dhe ndërhyrja kirurgjikale duhet të ishte bërë më shpejt. Sipas këtij akt- ekspertimi mjekët kurues mbajnë përgjegjësi qysh nga moment i parë i shtrimit për mjekim të pakujdesshëm.