E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, vëllai vret dy motrat dhe mbesën e mitur katër vjeçare



Të dhënat paraprake të hetimit të policisë italiane zbardhin autorin e masakrës në një familje shqiptare në qytetin e Pavias, ku si pasojë e goditjes me thikë mbetën të vdekura dy gra dhe një fëmijë 4 vjeç. Nuk ishte një konflikt, por një tragjedi familjare ngjarja e ndodhur në Stradella të Pavias, ne Itali, ku humbën jetën tre shqiptarë, një vajzë 4-vjeçe dhe nëna me tezen e saj. Viktimat janë Rina Ndoi ( Mëlyshi), 24 vjeçe, vajza e saj katër vjeçare dhe tezja e të voglës, Ornela Ndoi, 19 vjeçe. Mësohet se autor i dyshuar i vrasjes së trefishtë është daja i vogëlushes, Alfred Mëlyshi, 24 vjeçar. Ai është dërguar në spitalin shtetëror San Matteo të Pavias ku ndodhet në gjendje të rëndë, pasi tentoi të kryejë vetëvrasje. Alfred Mëlyshi, me një thikë, ka qëlluar duke i marrë jetën vajzës 4 vjeçe, Rina Ndoit (Mëlyshi) 24 vjeçare dhe Ornela Ndoit, 19 vjeçare. Policia lokale ka deklaruar se pas masakrës, i dyshuari u vetëqëllua me thikë, në përpjekje për t’i dhënë fund jetës.
Deklarimi
“Unë jam ai që e bëri këtë”, kështu deklaroi dje vrasësi 24-vjeçar kur është dorëzuar për të përfunduar pak minuta më pas në spital, nën ruajtje policore. Nga hetimet, doli se bëhet fjalë për të njëjtën familje, e cila një natë më parë, ishte bërë objekt i prishjes së qetësisë publike pasi dy persona, gjithashtu shqiptarë kishin qëlluar me armë zjarri nëpër dritare dhe ballkone. Ky rrëfim, i bërë nga spitali ku autori i krimit është shtruar, ka zbardhur edhe misterin që rëndonte mbi ngjarjen, për të cilën fillimisht u dyshua se ishte një larje hesapesh mes dy familjesh shqiptare. Gjithashtu, fillimisht dyshimet ranë mbi dy shqiptarë të tjerë, rreth 30 vjeç dhe me dokumente të rregullta në vendin fqinj, të cilët ishin larguar nga vendi i krimit me rrobat e gjakosura.
Precedenti
Vetëm një javë më parë një çift shqiptar u gjet i djegur në shtëpinë e vetë në Fiorenzuola të Italisë, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, ku policia vendase dyshon për vrasje ose vetëvrasje. Hetimet e para flasin për një akt vrasjeje të shtetases Shpresa Hajdini nga bashkëshorti i saj, Hajet Hajndini, në gjendje të rëndë depresioni. Më pas ai i ka vënë flakën banesës, duke u plagosur rëndë dhe më pas u nda nga jeta teksa po merrte ndihmën mjekësore në spitalin e Parmës në Itali. Si pasojë e zjarrit të rënë në banesë, dje pasdite gjetën vdekjen çifti Hajet dhe Shpresa Hajdini, përkatësisht 48 vjeç dhe 45 vjeçe. Mediat italiane njoftojnë se kryefamiljari, në gjendje të dehur, kishte therur bashkëshorten dhe më pas i kishte vënë zjarrin gjithë banesës.

Kapen 200 kg hashash në Lazarat, por “avullojnë” pronarët e drogës

Rreth 200 kilogramë marijuanë janë sekuestruar në periferi të fshatit Lazarat, por asnjë person nuk ka rënë në pranga si korrier apo pronar i lëndës narkotike. Pas informacioneve të marra në fshehtësi se një sasi e madhe droge ishte gati për shkëmbim, Policia e Sektorit të Krimeve në Tiranë në bashkëpunim me Policinë e Gjirokastrës ka zhvilluar një operacion rreth orës 05:30 të mëngjesit në fshatin e Lazaratit të rrethit të Gjirokastrës. Operacioni u finalizua me sekuestrimin e rreth 200 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë ndërsa poseduesit e lëndës pasi kanë pikasur në kohë policinë, kanë mundur të largohen nga vendi ku kishin caktuar takimin. Policia në rrugë informative ka siguruar dhe emrat e tre prej personave që do kryenin shkëmbimin, por për arsye hetimi nuk i bëri të ditur në njoftimin për shtyp. “Tre shtetasit në kërkim janë nga Lazarati”, bëjnë të ditur me rezerva burimet policore. Ndërkaq marijuana e paketuar në çanta të mëdha është sekuestruar dhe konsiderohet si një ndër sasitë më të mëdha me drogë të kapura kohët e fundit në Lazarat.
Lazarati konsiderohet nga policia si një ndër zonat me veprimtari të gjerë të kultivimit të hashashit. Shumë operacione të policisë në këtë zonë kanë dështuar pasi persona të panjohur u kanë bërë pritë dhe i kanë qëlluar.

Zjarri në Shëngjin, policia heton edhe rivalitetin në biznes

Një zjarr i fuqishëm që ra gjatë natës të së premtes në kompleksin “Inxheritor” në Shëngjin dogji plotësisht një prej hoteleve dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale tek hoteli i dytë, ndërsa policia është duke hetuar edhe pistën e zjarrëvënies së qëllimshme. Pronarët bëjnë me dije se dëmi ka qënë mbi 2 milionë dollarë, ndërsa dyshohet se zjarri ka qenë aksidental. Zjarri ra rreth orës 21:30 minuta të mbrëmjes së djeshme dhe dogji deri në orët e mëngjesit kompleksin gjigand në Shëngjin, “Inxheritor” e "Curri". Kompleksi në pronësi të shtetasve Anxheli Fusha e Pashk Curri përbëhej nga dy kulla të njohura me emrin “Keo” që shërbenin si hotele. Zjarrfikëse nga Lezha e Tirana punuan gjatë gjithë natës në vendngjarje dhe mundën të lokalizojnë flakët pak para se të zbardhte dita e djeshme. Zjarrfikësit u ndjenë të pafuqishëm para flakëve gjigande në një prej kullave pasi 2 bombola me nga 1 mijë litra gaz ndodheshin në godinë dhe shpërthyen me fuqi. Drejtori i zjarrfikëseve Dilaver Laci pohoi për se zjarrifikëset mbërritën për 6 minuta në vendngjarje, por flakët ishin gjigande dhe shpërthimi i bombolave vetëm sa përkeqësoi situatën. Pashk Curri një prej pronarëve i tronditur konfirmoi se dëmi i llogaritur nga djegia e kompleksit ka qenë rreth 2 milionë dollarë. Por siç shtoi ai “e rëndësishme është që nuk pati viktima”. Zjarri u lokalizua rreth orës 03:30 minuta te mëngjesit të djeshëm. Zjarri dogji menjëherë një prej kullave dhe zjarrfikëset mundën të shpëtonin një prej hoteleve, por dhe ai i djegur pjesërisht. Sasi e gazit prej 2 mijë litrash që ndodhej në 2 bombola ndihmoi në përshpejtimin e flakëve dhe përhapjen e tyre edhe në hotelin dytë. Policia i lokalizoi në mëngjes flakët.

Digjet banesa në Kurbin, familja në qiell të hapur

Digjet nga flakët e zjarrit një shtëpi 200-vjeçare në Kurbin, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Selitë, kur papritur zjarri ka përfshirë ndërtesën e vjetër, duke lënë në qiell të hapur dy familje. Forcat zjarrëfikëse kanë mbërritur me vonesë, për shkak të terrenit të thyer, duke mos shmangur dot djegien e plotë të shtëpisë. Sipas hetimeve të para mësohet se shkak i zjarrit ka qënë një shkëndijë elektrike. Aktualisht 10 anëtarët e dy familjeve kanë mbetur të pastrehë, pasi shtëpia është krejtësisht e pabanueshme.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›