E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pret me nderime dhe masa sigurie Bill Klintonin



Blerina Olldashi
Nën masa të shtuara sigurie, presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, sot mbërrin në Kosovë ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit dhe do të marrë pjesë në përurimin e shtatores së tij. Presidenti Fatmir Sejdiu nëpërmejt një mesazhi shprehet: “Republikën e Kosovës e viziton Presidenti Bill Klinton, njeriu i cili i priu angazhimit më të madh humanitar të botës moderne për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike. Duke i pasur parasysh meritat e tij të jashtëzakonshme për lirine dhe pavarësinë e Kosovës, si president i vendit, ju ftoj që këtë të diel t’i bëjmë një pritje madhështore, ashtu siç na ka hije, Presidentit Klinton”, thuhet ne mesazhin e Presidentit Fatmir Sejdiu. Presidenti Sejdiu ka ritheksuar mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre të pazëvendësueshem për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë shefi i protokollit të kryeministrit, Edi Sejdiu, thotë se Klintoni fillimisht do të ketë takim me udhëheqësit e lartë të vendit. “Ish-presidenti Bill Klinton, në ora 12, mendohet se do të mbërrijë në Aeroportin e Prishtinës. Së pari do të ketë takim me krerët e institucioneve të Kosovës, presidentin dhe kryeministrin. Takimi i dytë që do të mbahet në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, e më pas do të mbahet seanca solemne, gjatë së cilës ish-presidenti Klinton do t’u drejtohet deputetëve me një fjalim rasti”, thotë Edi Sejdiu. Pas fjalimit të tij në Kuvend, ish-presidenti Klinton, së bashku me krerët e lartë të vendit, do të bëjnë përurimin e shtatores së tij. Autoritetet e rendit thonë se kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një ambient të qetë me rastin e kësaj vizite. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se nesër do të ketë shtim të masave të sigurisë. “Policia e Kosovës ka përgatitur planin e saj operativ lidhur me vizitën e ish-presidentit Bill Klinton. Policia ka angazhuar të gjitha patrullat e nevojshme për të mbajtur rendin dhe qetësinë gjatë kohës kur ish-presidenti Klinton do të jetë në qendër të Prishtinës”,- thotë Kelani. Ndërkaq, zyrtarët e institucioneve kanë ftuar qytetarët që të mblidhen për të pritur ish-presidentin Klinton. Qytetarët pohojnë se ish-presidenti Klinton meriton pritje madhështore. “Po, do të dalim ta presim Klintonin. Ai ka bërë shumë për Kosovën dhe meriton një pritje madhështore”, thotë Marigona Stavileci nga Prishtina. Nezir Hajdari mendon se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të lumtur për këtë vizitë. “Duhet të dalim. Ai e ka ndihmuar shumë Kosovën. Zoti një dhe ai na kanë ndihmuar shumë. Patjetër që duhet të dalim për ta pritur”,- pohon Hajdari.

Në Austri, një i mbijetuar nga tragjedia e Tisës
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person, që dyshohet se ishte në grupin e të zhdukurve në tragjedinë e lumit Tisa, është i gjallë. Ai thuhet se është një adoleshent, i cili gjendet në një qendër paraburgimi në Austri. “Një e kemi të konfirmuar nga autoritetet austriake, një është në Austri nga ajo lista me 16 persona. Domethënë, një është gjallë në Austri dhe ai është në qendër paraburgimi në Austri, për shkak të kalimit ilegal. Por, është gjallë, është i konfirmuar”, ka pohuar për Radion Evropa e Lirë, ndihmësdrejtori për hetime në Policinë e Kosovës, Kadri Arifi, duke mos detaje të tjera për identitetin e të arrestuarit. Ndërkaq autoritetet austriake nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me këtë rast. Ndërkohë EULEX-i ka njoftuar se janë identifikuar edhe dy viktima që i përkasin tragjedisë së Tisës. Me këtë, numri i viktimave arrin në tetë, ndërsa tetë të tjerë konsiderohen ende të zhdukur. Të mbijetuarit e vetëm deri tani zyrtarisht janë shtetasi Blerim Rama dhe 2 fëmijët e tij 3 dhe 1 vjeç. “EULEX dëshiron të njoftojë se në mëngjesin e së shtunës, edhe dy viktima nga rasti i lumit Tisa janë identifikuar nga Departamenti i krimit të organizuar të Policisë së Kosovës. Viktimat e identifikuara këtë mëngjes janë një grua dhe një fëmijë”,- thuhet në një njoftim të EULEX-it.

SHBA
Obama: Plani im ekonomik funksionoi
Treguesit pozitivë të rritjes ekonomike dhe punësimit dëshmojnë se përpjekjet për të rimëkëmbur ekonominë, kanë funksionuar, tha Barak Obama. Presidenti amerikan, gjatë fjalimit javor në radio, i tha qytetarëve se “kemi një rrugë të gjatë përpara se t’i kthehemi mirëqënies” dhe se do të ketë humbje të reja të vendeve të punës në ditët që vijnë. Obama theksoi se masat e marra nga administrata e tij ndihmuan në “mënjanimin e më së keqes nga recesioni”. Shtëpia e Bardhë deklaroi se paketa ndihmë për ekonominë kishte ruajtur apo krijuar më shumë se 640 mijë vende pune.

Afganistan
Abdullah mund të bojkotojë zgjedhjet
Sfidanti kryesor i zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, Abdullah Abdullah mund të njoftojë që nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Raundi i dytë i zgjedhjeve që zhvillohen mes tij dhe presidentit aktual, Hamid Karzai është planifikuar për të shtunën tjetër. Dr. Abdullah bëri thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve kryesorë të zgjedhjeve, të ministrave të kabinetit dhe guvernatorëve të provincave si një mjet që do të ndalonte mashtrimet dhe korrupsionin. Gjatë një takimi me presidentin Karzai në fillim të javës, këto kërkesa u hodhën poshtë.

Serbi
Mbi 500 persona të arrestuar për drogë
Mbi 500 vetë janë arrestuar gjatë një operacioni masiv kundër drogës në mbarë Serbinë. Ministria e Brendshme tha se ky është operacioni më i madh kundër trafikantëve të drogës që është kryer ndonjëherë në Serbi. Mbi dymijë policë u përfshinë në bastisjet në orët e para të ditës, në mbarë vendin. Personat e arrestuar besohet se kanë qënë të përfshirë në shitjen e drogës nëpër shkolla dhe universitete. Një milion dollarë banknota të falsifikuara u kapën gjatë operacioneve bashkë me municione dhe makina luksoze. Autoritetet serbe duket se i kanë intensifikuar operacionet kundër narkotikëve kohët e fundit.

Greqi
Papandreu: “S`ka BE pa zgjidhjen e emrit”
Kryeministri grek Jorgos Paprandreu, sërish ka bërë thirrje se pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk ka integrim për Maqedoninë në Bashkimin Europian. Papandreu e bëri këtë deklaratë në konferencën e organizuar në përfundim të takimit të nivelit të lartë të BE-së në Bruksel. Papandreu nuk ka dashur të hyjë në detaje të tjera për të sqaruar lidhur me qëndrimet e tij për kontestin e emrit, duke mos dhënë gjithashtu edhe sqarime për takimin me kryeministrin Nikolla Gruevski. Zgjidhja e kontestit të emrit ka qenë edhe pjesë e axhendës së takimeve joformale midis disa krerëve europian në takimin në Bruksel.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›