E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, votëbesohet qeveria Monti

Qeveria e re italiane e teknokratëve me kryeministër Mario Monti e ka kaluar testin e saj të parë, duke fituar një votëbesimin në Senat. Siç pritej, qeveria ka fituar zgjedhjet lehtë 281 vota "pro" dhe 25 vota kundër. Votimi u bë pasi kryeministri i ri kishte paraqitur programin e qeverisë së tij të reformave për të trajtuar problemet ekonomike të vendit si dhe uljen e borxhit.
Gjatë fjalës së tij në Parlament Monti tha se qeveria e tij do të jetë në gjendje t`i rezistojë presionit të tregjeve, ndërsa theksoi se do të jetë në kontakt me krerët e shteteve evropiane.
"Evropa po përjeton vitet më të vështira që pas luftës', konfirmoi ish-komisioneri evropian duke nënvizuar se projekti evropian nuk mund të mbijetojë me një dështim të mundshëm të unionit monetar.
"Kjo është qeveria e angazhimit kombëtar. Kjo do të thotë se ajo do të marrë përsipër detyrën për rivendosjen e marrëdhënieve civile dhe institucionale. Nëse do të dështojmë, nëse nuk do të arrijmë reformat që duhen, atëherë do t`u nënshtrohemi të gjithë kushteve më të vështira", tha Mario Monti. Sipas tij e ardhmja e euros do të varet gjithashtu nga ajo që do të bëjë Italia në javët e ardhshme.
Kryeministri i ri Italian formoi kabinetin e tij, të përbërë nga përfaqësues të biznesit dhe ekspertë, pasi qeveria e qendrës së djathtë e Silvio Berlusconi-t ra javën e kaluar pas presioneve në tregje. Të mërkurën, kostoja e huamarrjes së Italisë ra nën nivelin kritik prej 7 për qind, tek i cili ndodhen Greqia, Portugalia dhe Irlanda.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›