E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, del para gjyqit njeriu që u përpoq të vriste Obamën

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë akuzuar personin Oskar Ortega-Hernandez, 21 vjeç, për përpjekje për vrasjen e presidentit Barak Obama, pasi ai ka qëlluar me armë në Shtëpinë e Bardhë.

Ortega-Hernandez është paraqitur mbrëmë në një gjykatë në Pitsburg të Pensilvanisë, për të dëgjuar akuzat ndaj tij, të cilat mund të rezultojnë me dënimin maksimal, që është burgimi i përjetshëm.

Sipas dosjes së gjykatës, një dëshmitar, që e ka njohur të dyshuarin në Ajdaho, tha se ai donte të vriste Obamën, të cilit i referohej si “djall dhe anti Krisht”.

Në incidentin e 11 nëntorit, shumica e plumbave e qëlluan pjesën e jashtme të ndërtesës, por njëri pjesërisht e theu dritaren me xham anti-plumb.

Policia gjeti një pushkë gjysmë automatike në një automjet të braktisur, disa orë më vonë.

Presidenti Obama dhe familja e tij në kohën e të shtënave nuk ishin në Uashington dhe askush nuk është plagosur.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›