E Diel, 1 Nëntor 2026

(Pa)mundësia për të gjykuar vetveten



Ka ditë që Gjykata Kushtetuese ose, më mirë, (pa)mundësia e saj për shqyrtimin e përfolur të ligjit për pastrimin e figurave të zyrtarëve të lartë, është vënë në qendër të debateve politike e mediatike. Opozita e majtë, kundërshtare e ligjit për krimet e komunizmit, ka kërcënuar se do ta kundërshtojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese ku shpreson ta rrezojë pas dekretimit nga Presidenti. Ndërkohë, mazhoranca e djathtë, autore dhe votuese e ligjit në fjalë, ka theksuar pamundësinë e këtij institucioni për shkak te konfliktit të pastër të interesit që një pjesë e anëtarëve të kësaj gjykate kanë me këtë ligj. Duket se të dyja palët duket se kanë parasysh të njëjtin fenomen në synimet dhe argumentet e tyre pro dhe kundër shqyrtimit në Gjykatë Kushtetuese të këtij ligji, prekjen nga ky ligj të paktën tre prej anëtarëve të kësaj gjykate.

Opozita e Edi Ramës shpreson ta përdorë inkriminimin e tyre për të rrezuar një ligj që synon t’i ndërpresë asaj lidhjet me të kaluarën kriminale të diktaturës, lidhje që kanë mundësuar deri tani ekzistencën, madje në pushtet, të të vetmes parti ish-komuniste në Evropën Lindore. Jam i bindur se nëse do të kishim një gjykatë të pastër, opozita as nuk do të guxonte t’i drejtohej asaj, ndërkohë që ishte pikërisht kjo mungesë pastërtie në pushtetin gjyqësor dhe pushtetet e tjera që detyroi mazhorancën demokratike që edhe pse me vonesë, t’u bashkëngjitet vendeve të tjera të Evropës ish-komuniste dhe të shkëpuste ,me ligj, politikën, drejtësinë dhe krejt institucionet e shtetit shqiptar nga e kaluara kriminale komuniste.

Duket se opozita e z. Rama sheh tek pjesa e inkriminuar e Gjykatës Kushtetuese partnerët më shumë se politikë për të ndaluar këtë ligj me pasoja për trashëgimtaren politike dhe gjenetike të gjenocidit që motivoi ligjin në fjalë. Mbase jo rastësisht ka një lidhje më shumë së politike mes Edi Ramës dhe anëtarit famëkeq të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiut, përfshirja e të cilit në krimet e komunizmit është i vërtetuar zyrtarisht dhe publikisht. Lidhja e tyre qëndron në një nga krimet më makabër të komunizmit pak para se diktatura të jepte shpirt, varjen në litar të poetit disident, Havzi Nela, në Kukës në vitin 1989. Ky krim makabër i firmosur e mundësuar edhe nga Fehmi Abdiu dhe nga Kristaq Rama (babai i Edi Ramës) është simboli më i qartë i lidhjes më shumë se politike të lidershipit socialist me krimet e komunizmit dhe zgjatimeve të tyre në institucionet shtetërore, lidhje që kërcënohen seriozisht nga ligji që ata duan të kundërshtojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Nëse në Shqipëri do të funksiononte morali, Gjykata Kushtetuese do të kishte qenë e para që do t’i hapte rrugë zbatimit të këtij ligji, duke larguar apo vetëlarguar anëtarët e inkriminuar të saj ose, e thënë sipas Berishës, pjesën në “konflikt interesi”. Në kushtet aktuale, mundësia që kjo gjykatë të marrë në shqyrtim ligjin është inekzistente. Mjafton vetëm inkriminimi i provuar i Abdiut për ta bërë të pavlefshme e, pse jo, edhe të pamundur vendimmarrjen e saj. Mirëpo deri tani kemi vetëm debat politik e mediataik rreth kësaj çështjeje. Çuditërisht, kanë heshtur ekspertët kushtetues e juridikë që nuk lënë zhvillim pa komentuar e analizuar. Nuk kanë folur ende drejtuesit e KLD-së, sidomos Presidenti Topi, qëndrimi i të cilit mund dhe duhet të jetë vendimtar. E gjithë klasa politike shqiptare, në mënyrë të veçantë krerët e shtetit dhe të institucioneve të rëndësishme të tij, kanë mundësinë më oportune për të dëshmuar vullnetin e tyre më shumë se politik të shkëputjes se vendit dhe shoqërsisë nga e kaluar kriminale komuniste . Mirëpo, ky debat edhe kështu, besoj se ka një vlerë të madhe politike e qytetare. Çdokush që arrin ta distancojë veten nga krimi komunist, ka mundësinë të kuptojë arsyet e vërteta të kundërshtimit të ligjit nga lidershipi i së majtës ish-komuniste, arsye që konkretizohen më së miri me lidhjen kriminale, më shumë se politike, mes Edi Ramës dhe Fehmi Abdiut. Llogarisni vetë përmasat e këtyre tip lidhjeve në progresion gjeometrik për të arritur tek përgjigja pse opozita e majtë dhe segmentet e saj në institucione shtetërore janë kaq të terrorizuar, por dhe kaq agresivë ndaj mundësisë së zbatimit në praktik të ligjit të lustracionit në Shqipëri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›