E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, Lipi largon Groson dhe Kandrevën nga skuadra

Botërori 2010

Tashmë është zyrtare: Fabio Groso dhe Antonio Kandreva kanë mbetur jashtë listës së madhe të Italisë në prag të Botërorit 2010. Nga 30 futbollistë që kishte përzgjedhur provizorisht, trajneri Marçelo Lipi ka bërë “shkurtimet” e para, duke e zbritur numrin në 28 në pritje të grumbullimit të së dielës. Fillimisht ishte parashikuar që numri i lojtarëve të larguar të ishte tre, por tekniku “axurr” preferon që të vëzhgojë në stërvitje gjendjen e Kualjarelës dhe Rosit, dy lojtarëve që janë në balotazh. Për listën përfundimtare me 23 lojtarë, që do të dorëzohet zyrtarisht te FIFA, Lipi ka kohë deri më 1 qershor. Largimi i Grosos është cilësuar si një mesazh i fortë për të gjithë futbollistët, pasi në këtë mënyrë ai ka lënë në shtëpi një prej heronjve të Botërorit 2006. Rreth këtyre zgjedhjeve teknike, në konferencën për shtyp drejtuesi i stolit deklaroi: “Nuk më ka shkuar asnjëherë nëpër mend që të grumbulloja lojtarë për të shlyer borxhin apo për mirënjohje. Natyrisht që u ndjeva keq kur i komunikova Grosos vendimin”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›