Italia, Lipi lë jashtë Groson dhe Kandrevën
ROME- Trajneri i kombëtares italiane Marçelo Lipi ka lënë jashtë dy futbollistë të tjerë nga grupi me 30 vetë që grumbulloi paraprakisht për botëror. Bëhet fjalë për Fabio Groson, një nga heronjtë e Kupës së Botës 2006 si edhe Antonio Kandrevën, një prej talenteve të Juventusit. Groso shënoi golin deciziv me Gjermaninë në 2006 si edhe penalltinë e fundit në finalen ndaj Francës, megjithatë ka treguar një formë tmerrësisht të dobët këtë sezon. Po ashtu, Kandreva nuk ka luajtur rregullisht as me Juventusin. Por, lënia jashtë e tyre ka qenë një paralajmërim për të gjithë grupin, sidomos për ata që ndodhen në kombëtare me statusin e kampionit të botës. Në një konferencë për shtyp, Lipi e ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë mirënjohje kundrejt futbollistëve që u shpallën kampionë në vitin 2006 dhe sipas tij, largimi i Fabio Grosos e vërteton këtë. Tekniku i të kaltërve ka kohë deri më 1 qershor për të përfunduar përzgjedhjen, teksa dyshimet mbi disa lojtarë që nuk kanë shfaqur formë të mirë në ndeshjet e fundit, janë të mëdha. “Italia është një vend me 50 milionë trajnerë kombëtareje, - ka thënë Lipi. – Por, unë i kam paralajmëruar futbollistët e mi se nuk do të marr asnjërin në Botëror për mirënjohje. Më erdhi keq për lënien jashtë të Grosos, por edhe ai vlen njësoj sa 14 futbollistët e tjerë me të cilët fituam në Gjermani dhe që tani nuk janë më pjesë e ekipit”, u shpreh më tej trajneri i Italisë. Pasi u shpall kampione bote në vitin 2006, Italia këtë vit nuk hyn mes skuadrave favorite për shkak edhe të mungesës së yjeve. Megjithatë të kaltërit mbeten gjithnjë një skuadër e rrezikshme dhe Lipi ka paralajmëruar se do të ndërtojë një ekip pa shumë emra, por shumë kompakt. Italia ndodhet në grupin F në Botërorin e Afrikës së Jugut, bashkë me Paraguajn, Zelandën e Re dhe Sllovakinë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)