Trajneri i ri/ Del Neri: Ja plani im për Juventusin
TORINO- Juventusi ka zgjedhur Xhixhi Del Nerin si trajnerin e ri, duke i dhënë fund zërave për Rafa Benitezin e Liverpulit. Pasi mori nga Sampdoria administratorin e deleguar Bepe Marrota, klubi bardhezi ka zgjedhur pikërisht teknikun e kësaj skuadre si pasues të Zakeronit. Juventusi ndodhet në prag ndryshimesh të mëdha pas një sezoni shkatërrues ku arriti 15 humbje, ku kjo skuadër u nis për të fituar titullin dhe në fund nuk arriti dot as një vend në Champions League. Pas trajnerit, pritet që edhe shumë futbollistë si Amauri, Kamoranezi, Salihamixhiç apo Trezege të largohen, por në dyshim të madh është edhe portieri Xhixhi Bufon. Ndonëse ende nuk ka marrë zyrtarisht detyrën, Del Neri ka deklaruar se dëshiron të mbajë me çdo kusht Bufon dhe Del Piero në skuadër, duke parë ndikimin që ata kanë në dhomat e zhveshjes. Ai ka premtuar gjithashtu se do t’i kthehet skemës së zakonshme 4-4-2, gjë që do të thotë se edhe braziliani Diego rrezikon seriozisht vendin. Por, sipas Del Nerit puna e parë në skuadrën bardhezi është ajo për gjetjen e mentalitetit fitues që ka karakterizuar Juventusin gjatë gjithë historisë. Humbja 3-0 me Milanin ditën e shtunë ishte një konfirmim i sezonit tejet zhgënjyes të “Zonjës së Vjetër”.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)