E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, arrestohet 68 infermierë “false”

Kalabri-Plot 68 persona në Itali janë vënë në arrest shtëpie nga karabinierët italianë pasi dyshohen se kanë ushtruar ilegalisht profesionin e infermierit me diploma false të blera në Kalabri (jug), njoftoi AFP-në një zyrtar, duke u shprehur se kishin arrestuar gjithashtu edhe dy organizatorë të dyshuar të këtij mashtrimi.

"68 personat e vendosur në arrest shtëpie dyshohen se kanë blerë për 8.000 - 10.000 euro, diploma false infermierësh dhe se e kanë ushtruar këtë profesion pa asnjë trajnim, ndonjëherë që prej vitit 1975", sipas kolonel Ernesto di Gregorios, përgjegjës i karabinierëve të ngarkuar me hetimet në sektorin e shëndetësisë në jug të Italisë.

Infermierët falsë punonin në struktura mjekësore publike dhe private në Kalabri, në Toskana dhe në Lombardi si dhe për disa salla operatore, sipas këtij zyrtari. "Diplomat ishin prodhuar dhe shitur nga katër persona. Dy prej tyre u arrestuan dhe u vunë në burgim paraprak", shtoi ai.

Karabinierët sekuestruan ndër të tjera pasuri me vlerë totale prej 20 milionë eurosh, që korrespondojnë me pagat e bëra nga infermierët falsë, sipas të njëjtit burim.

Sipas agjencisë Ansa, organizatorët e rrjetit kishin krijuar një trajnim të shkurtër gjatë të cilit "nxënësit mësonin veçanërisht matjen e presionit të gjakut dhe marrjen e analizave të gjakut".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›