Deputetët të PD-së akuzojnë për fiktivitet të organit të akuzës dhe influencim politik
Ina Rama po influencohet politikisht nga Edi Rama
Kryeprokurorja e Përgjithshme Ina Rama, vazhdon t’i nënshtrohet presionit politik të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tjerë të opozitës, në lidhje me çështjen e hetimit të rrugës Durrës-Kukës. Në këtë aspekt, ajo që mbetet absurde dhe jashtë çdo lloj konteksti funksional të Prokurorisë së Përgjithshme, është paaftësia e vijimit të procesit hetimor, për më tepër vazhdon hedhja e akuzave në drejtim të ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha, të cilat mbeten në caqet e një tymnaje dhe sigurisht vihet në dyshim serioz, puna e organit të akuzës.
Lidhur me këto zhvillime, Partia Demokratike ka shfaqur shqetësimin e saj, duke i bërë thirrje Kryeprokurores Rama, të mos bjerë pre e shantazheve politike të Edi Ramës dhe hispanikëve të tij, që kanë “pushtuar” institucionet e Drejtësisë në vend.
Reagimi i djeshëm ka ardhur nga deputeti demokrat, Edi Paloka, i cili duke iu referuar fiktivitetit të punës së organit të akuzës, vuri në dyshim zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një vit më parë si dhe duke shprehur në të njëjtën kohë zhgënjimin e mazhorancës nga Kryeprokurorja e Përgjithshme, në zbatim të ligjit.
Deputeti Paloka deklaroi se tani Partia Demokratike, e thotë me plot gojën se ka mbetur e zhgënjyer nga Ina Rama, e cila sipas Palokës erdhi në krye të Prokurorisë pa dhënë prova nëse ishte njeriu i duhur.
Duke komentuar votën e dhënë nga mazhoranca për zgjedhjen e Ina Ramës në krye të organit të akuzës, Paloka u shpreh se “nuk mund të them i penduar në atë kohë që kemi dhënë votën për kandidaturën, pasi ne në atë kohë kemi qenë entuziastë se më në fund Prokuroria shqiptare do të kishte një njeri të pavarur politikisht. Ndjehem i zhgënjyer për gjërat që po ndodhin, unë nuk e di se si e ka bërë zgjedhjen presidenti, por njerëzit duhet të provohen përpara se tu jepen poste të rëndësishme”.
Për sa i përket faktit në se Ina Rama është e influencuar politikisht, Paloka u shpreh se “unë nuk dua ti hyjë fare se kush është ai që e influencon politikisht mbi Prokurorinë, por përmenda opozitën pasi sulmet politike kanë qenë të opozitës”.
Lidhur me kërkesën më të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme e cila së fundmi i kërkoi ministrit Basha të paraqitet në Prokurori për të dëshmuar rreth hetimit të hapur për abuzimin me fondet e rrugës Durrës-Kukës, Paloka tha se “ndjehem i zhgënjyer për gjërat që po ndodhin, unë nuk e di se si e ka bërë zgjedhjen presidenti, por njerëzit duhet të provohen përpara se tu jepen poste të rëndësishme”.
Mënyra më e mirë për të provuar të kundërtën sipas Palokës do të ishte hetimi nga ana e Prokurorisë edhe mbi dosjet e abuzimit për ish pushtetarë të Partisë Socialiste.
...