Italia dhuron dy anije kundër ndotjes detare
Mbrojtja e mjedisit detar, bregdetit dhe shëndetit njerëzor ndaj rreziqeve që derivojnë nga fenomene të ndotjes aksidentale a të qëllimshme në det, do të mundësohet nga dy mjetet lundruese që iu dhuruan Rojës Bregdetare shqiptare nga Italia. Dy anijet kundër ndotjes detare, që janë pjesë e një investimi prej 750 mijë eurosh, u janë dorëzuar dje Forcave tona Detare nga Delegacioni Italian i Ekspertëve. Mjetet e lundrimit që do të përdoren në mbrojtje të ekosistemit ujor në Durrës dhe Vlorë i japin mundësi vendit tonë të ketë kapacitetet bazë operacionale për të ndërhyrë në ndotjet e detit nga hidrokarburet dhe mbetjet e ngurta që rëndom derdhen nga anijet tregtare dhe pluskojnë mbi ujërat e Adriatikut. Në detyrën e komandantit të Brigadës Detare Shqiptare, Kristaq Gerveni mori në dorëzim dy mjetet anti-ndotjes, dhuratë në kuadrin e programeve të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Italisë. Bashkëpunimin e frytshëm në këtë fushë e vlerësoi dhe zv/ambasadori italian në vendin tonë, Francesco de Luigi. Anijet kanë një gjatësi 16 metra dhe janë të pajisura me një sistem hidraulik për rikuperimin e materialeve të ngurta që qëndrojnë mbi ujë dhe me një sistem hidraulik me cilindra rrotullues për mbledhjen dhe spastrimin e hidrokarbureve. Ato janë të afta të trajtojnë deri në 18 m3 mbetje ndotëse të shpërndara në det. Transportimi i dy anijeve u bë në fund të gushtit, nën kujdesin e Marinës Ushtarake italiane, përmes anijeve të saj "Caprera" dhe "Tremiti".