E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti shkollor, me mungesa librash

Viti shkollor do të çelet me pak probleme. Ndërsa janë shpërndarë shumica e librave shkollorë, një pjesë e paketave të teksteve shkollore nuk janë plotësuar ende 100 për qind.

Disa nga tekstet e shkollave të mesme ende nuk kanë dalë në qarkullim, përkatësisht nuk kanë dalë në shitje në libraritë ku tregtohen librat shkollorë. Këto tekste do të shpërndahen në vazhdim, por pavarësisht kësaj, gjimnazistët do ta nisin vitin shkollor me mungesa të disa teksteve.

Dje Ministria e Arsimit ka njoftuar publikisht se janë siguruar të gjitha tekstet shkollore që përdor arsimi parauniversitar për çdo vit shkollor nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Edhe për klasën e dhjetë gjimnaz, që është klasa me të gjitha tekstet shkollore të reja, janë të siguruara të gjitha tekstet e lëndëve të detyruara dhe me zgjedhje.

Shitja e librit shkollor ka nisur që në fillim të muajit gusht në libraritë afër shkollave. Janë shpërndarë 95% e të gjitha teksteve dhe janë shitur në qytetet kryesore të vendit rreth 55% e librave. "Ftojmë qytetarët të mos ta lënë blerjen e teksteve për ditën e fundit. Në çdo shkollë keni të afishuara tekstet e përzgjedhura nga shkolla për çdo vit mësimor dhe ju ofrohet asistenca e duhur për çdo kërkesë", sqaron Ministria e Arsimit.

Sipas njoftimit, prindërit dhe nxënësit duhet të kenë parasysh që në momentin e blerjes së librit shkollor, të kenë në vëmendje tri probleme: blerjen e librit të duhur, çmimin e librit dhe pullën e librit. "Keni të afishuar në librari çmimin e çdo teksti dhe çdo libër që do të përdoret në shkollë ka pullën përkatëse të MASH. Çdo libër tjetër që nuk është i pajisur me pullën përkatëse, nuk është i detyrueshëm dhe qytetari mund të mos e blejë", ka sqaruar Ministria e Shkencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›