Kushtet skandaloze të higjienës, u vihet dryni tri shkollave
Tri shkolla të ciklit 9-vjeçar në qytetin e Gjirokastrës nuk do t‘i hapin dyert për ditën e parë të shkollës. Lajmi bëhet i ditur nga ekspertët e Inspektoratit të Higjienës në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik në Gjirokastër, vetëm disa ditë para nisjes së vitit të ri shkollor. Shkaku kryesor për "kyçjen" e tyre është gjendja skandaloze në tri shkolla të këtij cikli, dy prej të cilave në qendër të qytetit. "Mungesa totale e kushteve elementare të higjienës na ka detyruar që të paralajmërojmë institucionet përgjegjëse për gjendjen e mjediseve të mësimit dhe të shërbimeve jetësore brenda këtyre shkollave, duke kërkuar moshapjen e tyre pa përmirësuar dukshëm këto kushte", thotë për "Shqip" Spiro Nako, kryeinspektor pranë Inspektoratit të Higjienës. Sipas tij, kjo është një situatë që këto shkolla e kanë të trashëguar prej vitesh, dhe që sipas tij ato janë paralajmëruar për t‘u mbyllur edhe në fund të vitit të kaluar mësimor. Situata për kryeinspektorin e Higjienës, Spiro Nako, është alarmante dhe kjo u dëshmua në fillim të këtij viti shkollor edhe gjatë kontrollit të realizuar së fundmi nga kjo strukturë. Sipas tij, kontrolli ka evidentuar si më problemore situatën në godinat e shkollave 9-vjeçare: "Koto Hoxhi", në lagjen më të populluar të qytetit "18 Shtatori", shkollën "29 Nëntori", në lagjen "11 Janari" dhe shkollën e romëve "Së Bashku" në lagjen periferike të qytetit në Zinxhiras. Në këto shkolla mungojnë kushtet minimale të higjienës dhe mungesa totale e ujit të pijshëm. Nëse brenda kësaj jave situata nuk do të pësojë ndryshime të dukshme, atëherë këto shkolla do të mbyllen, pasi gjendja e tyre përbën rrezik për shëndetin e nxënësve", thuhet në një relacion të dërguar nga Inspektorati i Higjienës, Prefekturës së Gjirokastrës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse vendore. Ndonëse ky relacion ka disa ditë që u është dërguar strukturave shtetërore, sot nuk është ndërmarrë asnjë lëvizje për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme, duke e bërë më të besueshëm alarmin e dhënë nga ana e Inspektoratit të Higjienës. Për rastin konkret, burime zyrtare nga bashkia kanë bërë të ditur se në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ajo akordoi një shumë prej 1.5 milionë lekësh për ndërhyrjet në anekset e brendshme të tyre, si dhe lyerjen e godinave të tjera shkollore. Nuk është hera e parë që Inspektorati i Higjienës në Gjirokastër konstaton dhe u vë drynin institucioneve të ndryshme arsimore për shkak të mungesës së kushteve elementare higjienike. Vitin e kaluar, për të njëjtat motive u mbyllën Shkolla e Mesme Artistike dhe shkolla 9-vjeçare "Së Bashku", por u riçelën pas disa ditëve, për shkak të mungesës së ambienteve dhe fondeve publike.