E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, eliminim mes turpit

Shkurorëzohet dhe vendi i fundit në grup. Kualifikohen Paraguai dhe Sllovakia

Italia eliminohet nga Botërori 2010. “Axurrët” kthehen në shtëpi të shkurorëzuar, pas humbjes 3-2 me Sllovakinë. Një paraqitje edhe më e dobët se ajo e dy sfidave të mëparshme në grup kundër Paraguait dhe Zelandës së Re. Rezultati është përmbledhja e një ndeshje me shumë emocione, por edhe polemika për dy gola të anuluar nga gjyqtari anglez, Hauard Ueb, për skuadrën e drejtuar nga Marçelo Lipi. Sllovakët, debutues në Kupën e Botës, arrijnë të kualifikohen në 1/8-at. Italia humbet përballë një kundërshtari, që në pamje të parë duket modest, por që për afro 75 minuta ka dominuar. Në lojën e italianëve nuk ka funksionuar pothuajse asgjë. Nuk kanë mjaftuar as sulmet e vazhdueshme në fundin e ndeshjes, atëherë kur nuk kishim më çfarë të humbitnin: tentativat e dëshpëruara sollën golat e Di Natales dhe Kualjarelës (këtij të fundit iu mohua edhe goli i barazimit të përkohshëm 2-2 për një pozicion të dyshimtë jashtë loje), ndërsa në minutën e pestë shtesë, Pepe shpërdoroi golin që mund t’i dhuronte skuadrës kualifikimin. Përfundon këtu aventura e të besuarve të Lipit në Afrikën e Jugut dhe tashmë pritet gjyqi për të gjetur fajtorët e një zhgënjimi që nuk regjistrohej që prej vitit 1974.

Kjo ishte Italia më e dobët e 50 viteve të fundit, ndoshta edhe e të gjitha kohërave. Largimi i parakohshëm nga botërori, më se i merituar, shënon edhe fundin e një brezi dhe të ëndrrave. “Axurrët” ishin inekzistentë në fushë, të pafat vetëm në gjuajtjen e Kualjarelës, e cila u largua në vijën fatale (ndoshta edhe brenda saj). Gjithsesi, e vërteta është se kualifikimi i tyre do të ishte një “vjedhje”. Lipi mori në Afrikën e Jugut një skuadër pa talent e pa fantazi dhe kthehet në shtëpi pas tri ndeshjeve për t’u harruar. Në 270 minuta skuadra ka gjuajtur vetëm dy-tri herë drejt portës kundërshtare. Nuk ka asnjë justifikim, madje si të tillë nuk mund të përdoren as dëmtimet. Në mbrojtje Kanavaro duket një ish-lojtar, ndërsa askush tjetër nuk jep siguri. Sllovakia gjeti avantazhin pas 25 minutave, kur një gabim i De Rosit shndërrohet në gol nga Vitek. As skema e re (e treta e përdorur në tri ndeshje) nuk funksionon dhe në pjesën e dytë, diçka ndryshon me aktivizimin e Maxhos dhe Kualjarelës. Në të 56-n, vjen lëvizja e dëshpëruar, me aktivizimin e të dëmtuarit Andrea Pirlo, ndërsa tentativa e Kualjarelës, e larguar mbi vijën e portës (pamjet filmike linin mjaft dyshime) nuk mjaftonte. Problemi ishte se italianët luanin në mënyrë mjaft mekanike dhe të parashikueshme, ndërsa në të 73-n sllovakët dyfishojnë shifrat me Vitek. Pa shumë vlera goli i Di Natales, që shkurton diferencën në të 81-n, sepse vetëm 60 sekonda përpara fundit, Kopunek u jep “axurrëve” goditjen fatale. Shpresat duket sikur rikthehen me golin e Kualjarelës në minutat shtesë, por koha në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme. Italia kthehet në shtëpi mes turpit dhe tashmë Prandeli ka detyrën të rindërtojë skuadrën nga e para.

Përveç Sllovakisë, kualifikohet edhe Paraguai. Skuadra e drejtuar nga Xherardo Martino nuk është lodhur përballë Zelandës së Re dhe kënaqet vetëm me një barazim pa gola, i cili i jep kreun e Grupit F. Ndërkohë, neozelandezët largohen nga Botërori 2010 me kokën lartë, sepse përveç këtij barazimi, më parë ata kishin frenuar edhe Italinë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›