E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy shqiptarëve dhe pesë italianëve për firmë piramidale

Itali

Policia italiane ka shkatërruar një firmë piramidale të ngritur nga një grup italo-shqiptar në qytetin Barletta në shtetin fqinj. Shtatë persona kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale prona të patundshme në vlerën e disa milionë eurove. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, grupi kriminal që operonte edhe në Shqipëri, ka shfrytëzuar krizën ekonomike për t’u ofruar biznesmenëve para borxh në këmbim të një takse që duhet të paguanin për çdo shumë të marrë hua. Sipas hetuesve, grupi kishte mundur të siguronte një numër të konsiderueshëm klientësh, mes të cilëve biznesmenë, tregtarë, sipërmarrës dhe artizanë. Organizata siguronte paratë që u nevojiteshin klientëve, të cilët nëse nuk paguanin taksën e caktuar detyroheshin t’u jepnin atyre pronën apo aktivitetin. Policia bën të ditur se mes të arrestuarve ndodhen edhe dy shtetas shqiptarë, rezidentë në Itali. Policia tha se të arrestuarit janë Idajede Kurti, 50 vjeçe, dhe Igli Kamberi, 25 vjeç. Një dëshmitar ka deklaruar se kishte kërkuar një hua prej 10 mijë eurosh, por në 8 vjet është detyruar t’i paguajë huadhënësve një shumë 100 herë më të lartë, 1 milion euro. Në fakt, sipas dëshmisë së njërit prej klientëve të organizatës kriminale, përqindja e interesave të huas varionte nga 30% në 450%. I lodhur nga pagesat e njëpasnjëshme që duhet të paguante, “klienti” (identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur) bëri një denoncim në polici në vitin 2009, prej nga nisën edhe hetimet e policisë italiane. Pas sigurimit të provave të nevojshme, Guardia di Finanza arrestoi dje shtatë persona nën akuzën e ngritjes së firmave piramidale. Në Itali ligji nuk lejon qytetarët e thjeshtë të japin hua kundrejt interesave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›