E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ngacmoi të dashurin, peng 2 orë

 

GJIROKASTER - Një i ri nga Lazarati prangoset pasi kishte marrë
peng për dy orë një shokun e tij nga Gjirokastra. Proleter Hallaçi, 21 vjeç, është arrestuar nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës mesditën e djeshme, pasi u vërtetua se ishte autor i mbajtjes peng për gati dy orë të një shtetasi nga qyteti i Gjirokastrës, me inicialet S.K. Mendohet se veprimi i të riut nga Lazarati ka ardhur pasi shtetasi nga Gjirokastra, miku i tij, kishte ngacmuar të dashurën disa ditë më parë dhe kjo për Proleterin ishte e papranueshme. Fillimisht ai ka kërkuar shpjegime nga ana e të riut, por kur pa se ai refuzonte të përgjigjej rreth pyetjeve të ngritura, vendosi ta mbante nën presion derisa të jepte llogari. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në lagjen “Gërhot”, rreth orëve të mbrëmjes, në pjesën veriore të Gjirokastrës në një vend të veçuar nga zona urbane. I arrestuari në këtë veprim ndihmohej edhe nga i vëllai Abdurahman Hallaçi. Policia e Gjirokastrës me të rënë në gjurmët e tyre, janë vënë në ndjekje dhe vetëm dje kanë mundur ta arrestojnë 21- vjeçarin, i cili qarkullonte me automjetin e tij në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije. Mbi të riun lazaratas rëndon vepra penale e heqjes së paligjshme të lirisë, ndërkohë që organi i Prokurorisë ka marrë në shqyrtim që dje dosjen në ngarkim të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›