E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënim firmës së rrugës: Eksploziv nëse prishni kullën

 

MIRDITE - Punonjësit e “Bektel & Enka” kërcënohen me një letër anonime se do të hidhen në erë. Policia e Mirditës është alarmuar pas denoncimit të kryer, ndërsa shoqëroi dy vëllezër nga fshati Bisak i Fanit, të cilët mësohet se janë njëkohësisht edhe kuzhinierë në këtë firmë. Letra është gjetur brenda territorit të kabinave, ku janë të strehuar turqit, në Reps të Mirditës. Sipas policisë, në oborrin e kabinave të turqve ishte hedhur një letër në të cilën thuhej se: “Nëse ju do të merrni iniciativën për të më shembur kullën, që është në fshatin Bisak dhe më pas në të kalojë autostrada Durrës-Kukës-Morinë, ne do hedhim në erë të gjithë kapanonin”. Kjo letër vuri në alarm përfaqësuesit e firmës, të cilët kërkuan ndihmën e policisë së Mirditës. Megjithë kërcënimet e dhëna, kulla u shemb të enjten. Policia shoqëroi vëllezërit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Babai i dy djemve, të cilëve afati i orëve të shoqërimit po u tejkalohet, u shpreh se e gjithë kjo histori duhet të jetë ndonjë sajesë e personave keqdashës, pasi sipas tij shembja e kullës ishte bërë me mirëkuptimin e tyre. Policia po heton në disa pista, pasi shkrimi i dy vëllezërve nuk rezulton të jetë i njëjtë me atë të letrës. Dyshohet se kjo sajesë të jetë bërë edhe për konkurrencë, me qëllim t’u zihet atyre vendi i punës. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›