E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen makinat, dy të vdekur

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Përplasja e dy makinave në rrugën nacionale Bajzë-Koplik shkaktoi vdekjen e 2 personave dhe plagosjen e 4 të tjerëve. Tragjedia rrugore ndodhi rreth orës 17:30, në afërsi të fshatit Pjetërshan. Dy mjetet po udhëtonin në kahe të ndryshme mes tyre dhe në kushtet e lagështirës, mungesës së ndriçimit apo dhe shpejtësisë nuk kanë mundur të shmangin përplasjen fatale. Sipas burimeve të policisë, makina “Benz” me targë MA 2137 B drejtohej nga Fahri Bajrakurti, inspektor policie në Shkodër, ndërsa tjetra “Benz” me targë SH 2170 D nga Luigj Shabi. Një fëmijë dhe një e moshuar ishin viktimat e djeshme, familjarë të dy shoferëve. Si pasojë e goditjes së fortë ndërruan jetë në vend 6-vjeçari Elsar Bajrakurti dhe Mrie Shabi, 76 vjeçe, ndërsa u plagosën dy drejtuesit e automjeteve, Xhyhere Bajrakurti, 70 vjeçe dhe Brunilda Bajrakurti, 38 vjeçe. Kanë qenë udhëtarët e rastësishëm që lajmëruan menjëherë shërbimet policore dhe ato të ndihmës së shpejtë. Ata i transportuan të mbijetuarit e kësaj ngjarjeje të rëndë me shpejtësi për në spitalin rajonal të Shkodrës, ku u është dhënë ndihma e parë në sallën e urgjencës të kirurgjisë. Sipas informacioneve të para të marra nga personeli i këtij spitali, mësohet se të plagosurit pas ndërhyrjeve të para janë jashtë rrezikut për jetën.
Me të marrë informacionin, për shkak se ngjarja ishte tepër e rëndë, në drejtim të vendit të aksidentit u nisën dhe grupet e hetimit të kriminalistikës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe të Prokurorisë së këtij rrethi. Megjithëse aksidenti ka ndodhur në një aks rrugor nacional, zona ishte e pandriçuar. Kjo ka bërë që dhe hetimet të kryhen në kushtet e pamjes së kufizuar nën ndriçimin e prozhektorëve të makinave të policisë. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes mendohet që aksidenti të ketë ardhur nga mungesa e ndriçimit, moti me shi, faktorë që kanë vështirësuar shikimin e drejtuesve të mjetit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e lëvizjes së automjeteve tej normave të lejuara të shpejtësisë. Por, sipas policisë, fakti që përplasja ka qenë ballore dhe shumë e fortë do të thotë se askush prej makinave nuk ka pasur mundësi devijimi. Familja Bajrakurti po udhëtonte nga Shkodra në drejtim të Bajzës, te disa të afërm të tyre, ndërsa ajo Shabi për në Koplik. Pritet që ekspertët të thonë fjalën e tyre për shkaqet e aksidentit tragjik, ndërsa do të merren dhe dëshmitë e të plagosurve në spitalin e qytetit.

Aksidenti

Të vdekur
Elsar Bajrakurti
Mrie Shabi

Të plagosur
Fahri Bajrakurti
Brunilda Bajrakurti
Xhyhere Bajrakurti
Luigj Shabi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›