Dule: Fushata ndaj Bollanos frenon integrimin
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, doli dje në mbrojtje të kreut të Omonias, njëherësh Kryetar i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Një ditë pasi disa deputetë të Parlamentit shqiptar kërkuan shkarkimin e Bollanos, pas memorandumit drejtuar Parlamentit grek, kreu i PBDNJ-së u shpreh se kjo është një fushatë denigruese, e cila pengon integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe ndikon në marrëdhëniet shumë të mira, sipas tij, të dy vendeve. "Po ndjekim me shqetësim këtë fushatë denigruese, e cila shpesh herë prek caqet e urrejtjes, e nxitjes etnike, shndërrohet në një barrierë të fuqishme frenuese në rrugën e integrimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike, helmon frymën e shkëlqyer të mirëkuptimit, respektimit reciprok", u shpreh Dule. Kreu i PBDNJ-së, aleate e Partisë Demokratike në qeveri, akuzoi mediat se kanë spekuluar me lajmin e memorandumit të shoqatës Omonia, duke hedhur dyshime mbi përkthimin e tekstit të saj. "E keni lexuar në origjinalin e vet apo në ndonjë përkthim të besueshëm, rrjedhimisht jeni në frymën e spekulimeve dhe nëse do të kishit seriozitetin minimal do të merrnit përpjekjen e një përkthimi të besueshëm të deklaratës origjinale dhe menjëherë do të ndjenit së brendshmi detyrimin moral që të kërkonit një ndjesë opinionit publik për disinformimin sistematik që po i bëni". Por ndonëse Dule hedh poshtë faktin se Omonia nuk ka kërkuar kushtëzimin e ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë me autonominë e Vorio Epirit, deputeti i Parlamentit grek, Thanasis Plevris theksoi se Parlamenti i vendit te tij duhet të marrë parasysh kërkesën e kreut të Omonia-s dhe të kushtëzojë ratifikimin e MSA me Shqipërinë. "Doja të deklaroja se jemi dakord me letrën e OMONIA-s drejtuar Parlamentit grek, e cila i kërkon parlamentit tonë të kushtëzojë ratifikimin e MSA-së me plotësimin e një sërë kërkesash që OMONIA ka bërë. Që Shqipëria të hyjë në NATO duhet të plotësojë një sërë kushtesh, midis të tjerash dhe ato të minoritetit grek që jeton atje", theksoi Plevris.