Britania: Të shtyhen “Dosjet”
BLEDAR HOTI
Rritet ndjeshëm presioni i ndërkombë-tarëve ndaj maxhorancës për mosm-iratimin e ligjit të dosjeve. Pas reagimit të ashpër të SHBA-së, kësaj here është Ambasada e Britanisë së Madhe, e cila i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit për të mos e miratuar të hënën projektligjin "Për hapjen e dosjeve". Ambasada e Britanisë së Madhe me anë të një deklarate publike i kërkon Parlamentit shqiptar të mos e votojë projektligjin "Për hapjen e dosjeve". Ambasada Britanike shprehet e shqetësuar në lidhje me votimin e parashikuar nga Kuvendi ditën e hënë, duke kërkuar shtyrjen e tij. "Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, shprehet e shqetësuar për votimin e afërt në Parlament të projektligjit "Për Pastërtinë e Figurës". Ka shumë rëndësi që një ligj me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme, duke përfshirë në këtë proces dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtar", thuhet në deklaratën për shtyp. Gjithashtu si kërkesë imediate është edhe nisja e procesit të gjerë konsultimesh. "Procesi i pastrimit të figurave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ne mendojmë se shtyrja e procesit të votimit për të lejuar konsultime dhe debate publike më gjithëpërfshirëse do ishte një hap pozitiv dhe i mirëpritur", thuhet në deklaratën e Ambasadës Britanike. Dy ditë më parë edhe prezenca e OSBE-së, nëpërmjet ambasadorit Robert Bosch shprehu shqetësimin për projektligjin, pasi cenon disa nene kushtetuese. I ftuar në një tryezë të Këshillit të Rregullim Territorit në qytetin e Durrësit iu përgjigj interesit të gazetarëve për ligjin, e njohur ndryshe si projektligji për hapjen e dosjeve. "Ndajmë të njëjtin qëndrim me SHBA-në. Pr/ligji cenon disa nene kushtetuese dhe duhet të ketë diskutime gjithëpërfshirëse për të" - tha qartë ambasadori i OSBE-së Robert Bosch. Një javë më parë, maxhoranca dhe opozita debatuan për projektligjin e "Verifikimit të zyrtarëve dhe të zgjedhurve në administratën e lartë", i njohur ndryshe dhe "Për hapjen e dosjeve". Largimi i opozitës nga salla e Parlamentit, si dhe thirrja për konsensus duket se nuk i ka afruar me maxhorancën në qëndrimet për këtë draft. Komisioni i Ligjeve miratoi amendamente shtesë, por opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e zhvilluar të martën e kaluar. Pas kësaj, i menjëhershëm ka qenë edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve të cilët kërkuan mos votimin e këtij projektligji brenda këtij sesioni parlamentar.