E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia hap dyert për 80,000 emigrantë



Italia ka miratuar dje dekretin presidencial për fluksin e hyrjeve të emigrantëve sezonalë, duke pranuar 80 mijë persona që të vendosen në vendin fqinj për punësim. Edhe këtë vit, Shqipëria do të jetë një ndër vendet më të favorizuara, duke marrë pjesën e luanit në kuotën e parapërcaktuar. Vendimi i marrë dje pritet të botohet në Fletoren Zyrtare për të bërë më pas ndarjen e kuotave sipas shteteve. Këtë vit, Shqipëria ka nënshkruar me Italinë një marrëveshje të re emigrimi, e cila thjeshtëzon procedurat dhe i kalon ato nga zyrat e punësimit në vendin tonë.

Dekreti

Dekreti për hyrjet në Itali, me qëllim punësimin stinor, është firmosur nga kreu i Këshillit të Ministrave, Silvio Berluskoni, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë italiane. “Tashmë pritet publikimi i tij në Fletoren Zyrtare për t’u njohur me kohën e paraqitjes së kërkesave. Dekreti lejon hyrjen në Itali për motive punësimi stinor për qytetarët jo shtetas të BE-së, por që jetojnë në lindje, konkretisht në vendet në zhvillim”, – bëjnë të ditur mediat e vendit fqinj.

Kuotat maksimale të vendosura janë 80 vende, që do të shpërndahen në rajonet dhe provincat autonome nga ministria e Punës, Shëndetit dhe Politikave Sociale të Italisë, pasi të hyjë në fuqi vendimi. Vendet prej nga do të kryhet emigrimi janë të ndara në dy kategori, ku Shqipëria ndodhet në kategorinë e dytë, që janë vendet më të favorizuara.

Kjo kategori parashikon punonjës sezonalë jo shtetas të BE-së, nga vende që kanë nënshkruar ose janë gati të nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit për emigracionin, përkatësisht Tunizia, Shqipëria, Maroku, Moldavia dhe Egjipti.

Kategoria tjetër ka të bëjë me të punësuarit sezonalë jo shtetas të BE-së, që përfshin Serbinë, Malit e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë, Kroacinë, Indinë, Pakistanin, Bangladeshin, Sri Lankën dhe Ukrainën. Më të favorizuar do të jenë ata të cilët mbajnë një leje qëndrimi për punë sezonale në subjekt për vitet 2006, 2007 ose 2008.

Marrëveshja e re

Por në datën 2 dhjetor Shqipëria dhe Italia nënshkruan një marrëveshje të re për emigracionin, që i thjeshton akoma më shumë procedurat. Procedurat e emigrimit sezonal, deri më tani ishin të drejtpërdrejta me Italinë. Në këtë mënyrë, duhej që një emigrant të gjente punë në Itali e më pas të aplikonte për lejen e posaçme të qëndrimit dhe të punës, nëpërmjet postës ose internetit. Puna e ofruar nga bizneset italiane ishte nominale dhe punëdhënësi duhej të shprehej nëse ishte pro apo kundër kandidatit për të punësuar.

Me anë të marrëveshjes së re, Shqipëria do të përfitojë, sipas burimeve nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kjo, pasi qeveria italiane do të përcaktojë numrin e punonjësve sezonalë që do të vijnë nga Shqipëria, e më pas ky numër do të menaxhohet nga zyrat e punës në mbarë vendin. Këto zyra, së bashku me sportelet e emigracionit, që janë çelur tashmë, do të merren me trajnimin profesional të të papunëve që janë të interesuar.

Një kandidat që dëshiron të shkojë në Itali, do të duhet të aplikojë paraprakisht në zyrat e punës. Ai duhet të jetë i regjistruar ndërkaq si i papunë dhe të përfitojë këtë status. Pas aplikimit, ai do të duhet të paraqesë formimin e tij profesional, pra për çfarë është i specializuar dhe nga cili institucion. Nëse aplikanti është i specializuar, atëherë ai kualifikohet për përzgjedhjen finale.

Në të kundërt, zyrat e punës do të zhvillojnë kurse kualifikimi falas, në të cilat do të trajnojnë të papunët për profesione të veçanta. Me përfundimin e këtyre kurseve, ata do të marrin një certifikatë të njohur nga shteti shqiptar dhe ai italian, me anë të së cilës do të mund të kalojnë në fazën e fundit të përzgjedhjes për ato profesione që kërkohen për punëtorët sezonalë në Itali.

Oketa dhe Dako mbjellin pemë në Vilën e Zogut

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kanë mbjellë afro 550 pemë dekorative në kodrën e Vilës së Zogut. Ata kanë qenë bashkë te kodra e Vilës së Zogut dhe kanë marrë pjesë në një aksion të përbashkët për gjelbërimin e qytetit, duke arritur në 1300 numri i pemëve të cilat janë në procesin e mbjelljes në Durrës. Ministria e Mbrojtjes me fondet e saj bleu dhe solli në Durrës 550 fidanë drurë dekorativë të cilët janë destinuar për t’u mbjellë në rrëpirën perëndimore të kodër-vilës. Një masë e tillë synon që të mbrojë këtë zonë nga erozioni apo shkarjet e dherave të cilat janë shqetësim serioz për qytetin e Durrësit si dhe për gjelbërimin e tij. Drurët që po mbillen në këtë faqe të kodrës, janë akacie dhe qershi. Aksioni u organizua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Durrësit. Ashtu si ministri i Mbrojtjes Oketa, njëkohësisht edhe deputet i Durrësit, ashtu dhe kryebashkiaku Dako, u shprehën për “standard” për nevojën që ka qyteti për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. Dako tha: “Ne do të inkurajojmë çdo nismë dhe cilindo që dëshiron të kontribuojë për gjelbërimin e qytetit tonë, qoftë duke mbjellë edhe një pemë të vetme”. Kurse në javët në vazhdim, Ministria e Mbrojtjes do të mbjellë pemë edhe në 4 qytete të tjera të vendit. Bashkia e Durrësit kishte nisur nga puna për mbjelljen e 800 drurëve dekorativë në disa prej rrugëve kryesore të qytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›