LSI-ja, derën hapur për ish-ministrat e PS-së
Zbutja e toneve të Ilir Metës ndaj PS-së nuk ishte një deklaratë e rastësishme, por një strategji politike për të lënë derën hapur ndaj gjithkujt që do të largohej nga PS-ja drejt koalicionit të drejtuar prej tij. Kësaj radhe ai nuk synon aspak vetëm rrjedhje anëtarësh të thjeshtë apo drejtuesish lokalë, por afrimin e njerëzve me peshë dhe me histori të gjatë në PS, ish-ministra të 8 viteve të qeverisjes socialiste. Burime nga LSI-ja bënë të ditur se duke parë situatën jo të favorshme për të vjetrit në PS, LSI-ja ka vendosur të jetë më e hapur për të kërkuar afrimin e këtyre njerëzve, të cilët realisht nuk po ndihen aspak në selinë rozë, ku situatën e kanë marrë në dorë të rinjtë e sjellë nga Rama. Thirrja ndaj ish-ministrave socialiste do të jetë e hapur dhe sigurisht me negociata joformale nga njerëz të LSI-së dhe të partisë më të re, PSV ‘91. Vetëm dy ditë më parë, kreu i kësaj të fundit, Petro Koçi, u kujtoi këtyre socialistëve të vjetër se zëri i tyre është shuar në PS-në e Edi Ramës. “Nëse Shqipëria sot po anëtarësohet në NATO dhe po troket në BE, kjo është meritë në radhë të parë e 8 viteve qeverisëse të socialistëve. Pavarësisht se ish-ministrat e PS-së janë kthyer në memecë dhe s’kanë kurajë të bëjnë zëdhënien politike të punëve që kanë drejtuar”, - tha Koçi. Ndërkaq, në strukturat e LSI-së është afruar tashmë një ish-ministër socialist. Bëhet fjalë për Luan Ramën, por nuk është shumë çudi që dhe të tjerë ta pasojnë duke parë pamundësinë e futjes në listat e mbyllura të Edi Ramës për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë që sa vjen e u jep më shumë shtysë të rinjve dhe harron njerëzit me kontribute reale në parti, Rama gjithsesi i frikësohet largimit të tyre, duke mos hapur asnjë diskutim për listat.
Në të njëjtën kohë, duket se dy koalicionet brenda së majtës kanë ndërruar portat. Toneve të zbutura të Ilir Metës që thoshte pa droje se do të bashkëpunonte me PS-në pas zgjedhjeve i është kundërpërgjigjur aleati i ngushtë i Ramës, Skënder Gjinushi. Ai ka sulmuar LSI-në në Vlorë, duke u shprehur se “Meta bashkëpunoi me Berishën”. Ai u shpreh i bindur se zgjedhjet e qershorit do të fitohen nga koalicioni i PS-së pa pasur nevojë për koalicionin tjetër të majtë. Po dje, gjersa po aplikonte për kartë identiteti, Meta sqaroi pozicionin e tij duke theksuar: “Për shqetësimet që mund të kenë sjellë qëndrimet e mia, unë jam i surprizuar nga habia që kanë ndier disa aktorë politikë, të cilët nuk e kuptoj se pse janë çuditur, pasi dihet që LSI-ja ka qenë forca më kritike dhe më opozitare ndaj qeverisë Berisha”.