Si do të kryhen provimet e maturës
Provimet e maturës janë 3 muaj larg, por nxënësit duhet të dinë mirë procedurat e hyrjes në provime dhe të zhvillimit të tyre, sipas specialistëve. Për këtë arsye, në çdo shkollë janë dërguar rregullat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit në mënyrë që maturantët t`i njohin, për të mos u përjashtuar nga provimi.
Procedura
Procedurat e hyrjes dhe të zhvillimit të provimeve janë të përcaktuara deri në detaje. Kështu, nxënësi duhet të paraqitet në shkollë të paktën një orë përpara sesa të fillojë provimi, kohë gjatë së cilës do të kryhet identifikimi i të gjithë nxënësve, të cilët më pas do të hyjnë në klasat dhe vendet e parapërcaktuara. Më pas, administratorët e provimeve do të njohin nxënësit me të drejtat dhe detyrat e tyre gjatë orës së provimit.
“Procesi i identifikimit të çdo nxënësi/kandidati gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij, ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës, administratorët e provimit dhe administratori i sekretimit”, – përcakton rregullorja e maturës.
Në klasat e provimeve nuk kanë të drejtë të hyjnë mësuesit e shkollës ku jepet provim, madje as drejtori i shkollës, i cili ndonëse lejohet të qëndrojë në mjediset e saj, nuk lejohet të hyjë në klasa. Hyrja e nxënësve do të kryhet në bazë të listave të përpunuara nga AVA dhe në rend alfabetik për të shmangur çdo lloj mundësie abuzimi dhe lejohet të hyjnë në provime vetëm ata që janë të shpallur në listë.
Nxënësit do të paraqesin mjetin e tyre të identifikimit: një pasaportë, certifikatë, ose letërnjoftim dhe do të ulen në vendin e parapërcaktuar, pa të drejtë për të lëvizur për aq sa vazhdon procedura e provimit. “Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik”, – përcakton rregullorja e maturës.
Mjedisi i provimit
Ndërkohë, rregulla të rrepta janë vendosur edhe për mjediset ku do të kryhen provimet. Këto mjedise përcaktohen nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, por duke respektuar kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Kështu, mjedisi i provimit duhet të jetë i mjaftueshëm minimalisht për 15 nxënës dhe largësia mes nxënësve duhet të jetë të paktën 1 metër e 20 centimetra, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa, për të minimizuar mundësinë e kopjimit.
“Në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin. Mjediset të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Në mjediset ku zhvillohet provimi nuk ka postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim”, – përcakton rregullorja e nënshkruar nga ministri i Arsimit, z. Fatos Beja.
Nxënësit duhet të ulen me fytyrë në një drejtim gjatë orës së mësimit, ndërkohë që duhet të kenë në dispozicion një sipërfaqe banke prej minimalisht 40 me 60 centimetra. Një tjetër rregull i përcaktuar është që çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, të ketë komunikim me rrugë automobilistike, si masë sigurie për raste të veçanta.
Diplomat e reja miratohen më 25 mars
Modeli i diplomave që ofron Universiteti i Tiranës sipas sistemit të Bolonjës, pritet të miratohet javën e ardhshme. Burime zyrtare të UT-së bëjnë të ditur se miratimi i diplomave, në bazë të ndryshimeve të përcaktuara, do të kryhet në datën 25 mars, në mbledhjen e radhës të senatit. Mësohet se pas përcaktimit të modelit konkret që të diplomës së re, ajo iu shpërnda dhe studentëve, të cilët dhanë sugjerimet e tyre për elementet grafike shtesë. Specialistët e Universitetit të Tiranës pohojnë se përveç elementeve të reja që kanë shtuar fakultetet, diplomat do të përmbajnë detyrimisht stemën e Republikës së Shqipërisë, emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë që e lëshon, emërtimin e institucionit përkatës, emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit, vendin dhe datën e lindjes, emërtimin e diplomës, datën e mbrojtjes së tezës së diplomës, numrin e amzës, matrikulimin e studentit, numrin e diplomës, datën e lëshimit të diplomës. Në mbledhjen e senatit të UT-së pritet të diskutohen edhe çështje të tjera, si shqyrtimi i vërejtjeve të ministrit të Arsimit për projektstatutin e UT-së, zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit të Etikës së UT-së, miratimi i marrëveshjes me Universitetin e Torinos (Itali) etj. Sipas burimeve të UT-së, në këtë mbledhje pritet edhe rishqyrtimi i udhëzimit “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, shqyrtimi i propozimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Sociale për ndarjen e departamentit të Filozofisë dhe Sociologjisë.