“Miqtë e Ujit”; Program për ndërgjegjësimin e nxënësve për mosharxhimin e ujit
Nxënësit e arsimit 9-vjeçar në disa shkolla të vendit janë përfshirë prej një viti në programin pilot "Miqtë e ujit", një ndër motot e të cilit është "Të kursejmë ujin dhe të ruajmë burimet tona ujore".
Programi, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe shoqatës së "Ujësjellës-Kanalizimeve" synon rritjen e ndërgjegjësimit tek fëmijët për çështjet e lidhura me ujin, përmes një metode ndëraktive, duke kombinuar mësimet për principet bazë për ujin me lojëra dhe aktivitete që përforcojnë këto njohuri.
Fëmijët e përfshirë në këtë program pilot janë nxënës të klasave të treta të shkollave fillore në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, Kavajë, Pogradec, Gjirokastër, Berat etj.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar një vit më parë nga MASH-i dhe shoqata e "Ujësjellës-Kanalizimeve", kjo e fundit ka marrë përsipër trajnimin e mësuesve të shkollave të përfshira në programin pilot. Ndërsa, nxënësit e shkollave të përzgjedhura marrin materiale si një libërth për fëmijë, për të mësuar më tepër për ujin dhe rezervat e tij si dhe edukimin ndaj kursimit dhe ruajtjes së ujit.
Një nga temat e përzgjedhura këtë vit, në kuadër të 22 marsit, Ditës Botërore të Ujit, është "Përballja me krizën e ujit". Kjo temë nënvizon vlerën e bashkëpunimit dhe rëndësinë e një menaxhimi të integruar të burimeve ujore si në nivel ndërkombëtar, ashtu edhe në atë kombëtar.