Italia kërkon një samit SHBA-BE për integrimin e shpejtë në BE, të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Kërkesa pak ditë para se Italia të marrë kryesimin e Presidencës së Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit
Italia, e njohur si një prej mbështetësve më të fuqishëm të liberalizimit të vizave mes Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, i është rikthyer kërkesës së saj për mbajtjen e një samiti mes Brukselit, vendeve të Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara, në lidhje me këtë çështje, një evenimenti që parashikohet që të mbahet gjatë gjysmës së parë të vitit 2010. Iniciativa për këtë samit vjen pak ditë para se Italia të marrë Presidencën e radhës të Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit. Një nga prioritetet më të forta të kësaj presidence, do të jetë forcimi i marrëdhënieve mes Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, duke nisur nga liberalizimi i regjimit të vizave me të gjitha vendet e rajonit. Zëvendësministri i Jashtëm italian Alfredo Mantica u shpreh dje se kjo iniciativë është ndërmarrë nga vetë kryediplomati Franco Frattini, i cili ka përpiluar edhe planin 8 pikësh për integrimin e rajonit në Evropë. Ndër të tjera, presidenca italiane e kësaj nisme do të fokusohet në disa çështje të tjera me rëndësi për Ballkanin, siç është edhe konflikti për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, por dhe krijimi i një rrjeti, evropian që do të përfshijë shumë shtete ballkanike, për të kontribuar në stabilizimin e tyre dhe në futjen e tyre të menjëhershme në sistemin evropian. Në fillim të muajit prill shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini paraqiti gjatë samitit të përbashkët të ministrave të Jashtëm të SHBA-së dhe BE-s një plan tetëpikësh për përshpejtimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor. Liberalizimi i regjimit të vizave me këto vende ishte në thelbin e planit 8-pikësh të Frattinit. Sipas propozimit të kreut të diplomacisë italiane, një raport i Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje duhet të jetë gati deri në fund të majit dhe të hyjë në fuqi në fund të vitit 2009, apo në fillim të vitit të ardhshëm.
Ja çfarë përmban plani tetëpikësh i Frattinit
Regjim të lirë vizash. Italia dëshiron që raporti i Komisionit Evropian mbi këtë çështje të jetë gati në fund të muajit maj dhe të hyjë në fuqi sa më parë që të jetë e mundur. Italia kërkon që në fund të muajit maj komisioni evropian mbi këtë çështje të fillojë përgatitjet për raportin teknik në lidhje me aplikimin e Malit të Zi për statusin e vendit kandidat për në BE, hap që duhet që të ndiqet edhe nga Shqipëria dhe Serbia. Italia kërkon që Kroacia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Brenda vitit 2010. Në lidhje me këtë çështje, Italia mbështet plotësisht planin përgatitur tashmë nga Komisioni Evropian. Italia apelon për një efektivitet më të madh të BE në dialogun e saj me Bosnjë-Hercegovinën. Italia kërkon zhbllokimin e hyrjes në fuqi të fund të muajit qershor të marrëveshjes së ndërmjetme mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, ndërsa kërkon nga Beogradit bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Italia kërkon tejkalimin e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë për sa i përket çështjes së emrit dhe fillimin e negociatave për aderimin e Shkupit në NATO dhe BE. Përsa i përket Kosovës, Italia vë theksin tek rëndësia që ka mbështetja e përbashkëte e shtetit më të ri ne Evropë. “Së bashku në Kosovë, së bashku jashtë saj”, duhet që të jetë parimi që duhet të udhëheqë praninë ushtarake të faktorit ndërkombëtar atje. Italia fton në samitin e përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
...