Italia largon Krishiton

Skandali i basteve në Itali u pasurua edhe me një lajm të ri pasi Domeniko Krishito u përjashtua nga ekipi kombëtar që do të marrë pjesë në Euro 2012. Ky vendim u mor pasi emri i Krishitos doli mes të dyshuarve si të përfshirë në manipulimin e rezultateve të ndeshjeve të ndryshme.
Zv. presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Demetrio Albertini, doli dhe njoftoi mediat për vendimin e marrë.
“Duke vlerësuar situatën, ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës italiane për Euro 2012. Ai nuk do të jetë në kampionat. Ky është një zhgënjim i madh për të gjithë ne. Krishito po nxiton që të pastrojë emrin e tij dhe ky është synimi i tij kryesor në këtë moment. Ai na tha se i vjen shumë keq për situatën e krijuar, edhe pse ai thotë se nuk ka lidhje. i vjen keq për federatën, trajnerin, ekipin për këtë situatë të pakëndshme”, tha Albertini.
Lojtari i Xhenoas doli si një nga të dyshuarit në skandalin që po trondit futbollin italian prej shumë muajsh dhe që po dëmton rëndë emrin e tij në arenën ndërkombëtare. Kombëtarja e drejtuar nga Çezare Prandeli do luajë në Euro 2012, në grupin C, së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Irlandën.