Miqesoret me Katarin dhe Iranin

Pas dy fitoreve në miqësoret me Katarin dhe Iranin, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi është paraqitur në konferencë për shtyp, ku ka bërë një analizë për paraqitjen e skuadrës. Tekniku Italian ka theksuar se fitoret nuk janë të rastësishme, duke vlerësuar frymën Brenda grupit kuqezi dhe rreshtimin e skuadrës në fushë. Ndërkohë ai ka kërkuar të tjera ndeshje miqësore për të vazhduar eksperimentet, në mënyrë që të konsolidojë grupin.
“Pas këtyre ndeshjeve jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kemi grumbulluar. Fituam dy ndeshjet me Katarin dhe Iranin dhe duhet të them që rezultati i mirë ndihmon të kesh gjithnjë besim. Rezultatet e mira nuk vijnë rastësisht, ato janë fryt i lojës së skuadrës, e cila mundohet të gabojë sa më pak, të vrapojë sa më shumë, të krijojë sa më shumë raste. Deri tani mund të them që kemi një skuadër që vendoset mirë në fushë, por shpesh herë humbim me lehtësi topin. Lojtarët janë të motivuar dhe miqësor me njëri-tjetrin, e nuk ka zili brenda grupit. Për të kuptuar se cfarë i duhet kësaj skuadre për të qënë e fortë në kualifikueset e botërorit më nevojiten më shumë ndeshje. Kështu që do të shohim deri në takimet e para kualifikuese, ku nga shtatori do të kemi në dispozicion një skuadër më e plotë. Por, për momentin, deri në ndeshjet zyrtare duhet të ekperimentojmë”, tha trajneri.
Fitorja e miqësoreve të luajtura në Madrid dhe Stamboll ka rritur euforinë, jo vetëm brenda ekipit, por në të gjithë ambientin sportiv. Gjithsesi, De Biazi paralajmëron se nuk duhet ëndërruar për kualifikimin në Botërorin 2014, por ekipi duhet të shfrytëzojë cilësitë më të mira.
“Duhet të kemi të qartë se cilët janë kufijtë tanë dhe deri ku mund të shkojmë pa ëndërruar. Kemi shumë vlera si skuadër, luajmë si grup, lojtarët mbështesin njëri-tjetrin në momentet e vështirësisë, ekipi ka vendosmëri dhe jep maximumin. Nëse i shfrytezojmë këto cilësi në 90 minutat e një ndeshje do t’u krijojmë vështirësi kundërshtarëve të grupit në kualifikueset e Botërorit 2014, që për të qenë realistë janë më të mirë se ne, taktikisht dhe teknikisht. Nëse të gjitha këtyre cilësive do tu shtojmë edhe fatin atëherë përfundimi vjen logjikisht. Nuk kemi idividë që zgjidhin situatat, por duhet të mbështetemi tek të gjitha këto vlera që thashë. Shpresa ime është që në këtë një vit e gjysmë që na ka mbetur të mund të gjejmë një ose 2 lojtarë vendimtarë”, u shpreh De Biazi.
Problemi i vetëm i Shqipërisë, të paktën pas ndeshjes me Iranin duket mungesa e një organizatori të mirëfilltë. Ndërkohë, me afrimet e Etrit Berishës, Mërgim Mavrajt e Mërgim Brahimit, skuadra duket e kompletuar. Në të gjitha repartet ka mjaft rivalitet për një fanellë titullari, duke llogaritur edhe grumbullimet e Salihit e Besart Berishës në sulm dhe rikthimet e Currit, Dallkut, Vangjelit e Telit në mbrojtje, si edhe të Gilman Likës në mesfushë. Testi i radhës zyrtar për kuqezinjtë është ndeshja e muajit gusht kundër Moldavisë.