Italia mbeshtet fuqizimin e shendetesise shqiptare

Ambasadori Italian Saba D’Elia deklaron në konferencën "Sëmundjet infektive, epidemitë, pandemitë- si t’i parandalojmë"
Italia do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e shëndetësisë shqiptare, garantoi Ambsadori Italian në Shqipëri, Saba D’Elia, gjatë konferencës "Sëmundjet infektive, epidemitë, pandemitë: si t’i parandalojmë", zhvilluar në hotel "Tirana International". Ambasadori D’Elia bëri të ditur se kjo konferencë ndërmerret në kuadër të një sërë iniciativash të Ambasadës Italiane në Shqipëri, për të theksuar prioritetin e fushave të shëndetësisë. "Së bashku me autoritetet shqiptare jemi duke ecur përpara dhe kërkojmë të ofrojmë pikënisje reflektimi për tema që janë mëse aktuale, sikurse ato të sëmundjeve infektive, të epidemive, pandemive dhe sesi t’i parandalojmë ato", tha ai, duke shtuar se "çdo politikë shëndetësore e sukseshme duhet të mbështetet në kontroll dhe parandalim dhe jo në ndërhyrje emergjence dhe kurimi". Sipas tij, është thelbësore të zhvillohet një koncept global për të drejtën e shëndetit dhe mbrojtjen e tij dhe është po aq e rëndësishme të përballemi me sfidat në këtë fushë. "Shëndeti për popullsinë më të ndjeshme, sidomos fëmijët, është diçka që duhet mbrojtur vazhdimisht", tha z. D'Elia. Duke vënë në dukje faktin se "Italia vendos shëndetin në qendër të veprimit të saj, qoftë në nivel kombëtar, ndërkombëtar, apo në nivel dypalësh", ambasadori D'Elia tha se "fushat e bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë në sektorin e shëndetësisë janë të shumta". Ambasada italiane ka favorizuar marrëveshje shëndetësore midis qarqeve të ndryshme italiane dhe Shqipërisë për të kuruar fëmijë me patologji të rënda, që nuk mund të kurohen në vendin tonë. Z. D'Elia përmendi këtu dhe ndërhyrjet e Italisë në zona të ndryshme, në raste emergjente. Ministria e Jashtme e Italisë, përmes Kooperacionit Italian për Zhvillim, është angazhuar me 18 projekte në fushën e shëndetësisë në Shqipëri, me një vlerë prej 45 milion euro. Konferenca e sotme u organizua nga Instituti Italian Shëndetësor i Italisë dhe Ministria e Shëndetësisë shqiptare, ku morën pjesë ekspertë të fushës nga të dyja vendet. Të pranishëm ishin zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, etj.
...