E Diel, 1 Nëntor 2026

Vangjel Dule merr shuplaken e radhes nga Athina zyrtare

Kryetari i PBDNJ-së është kritikuar në Ministrinë e Jashtme të Greqisë për zgjedhjet e tij politike, të cilat kanë vënë në rrezik interesat e minoritetit grek në Shqipëri, dhe i është lënë të kuptohet se tashmë është i panevojshëm, si negociator në marrëdhëniet mes dy vendeve


Ministrja e Jashtme e Greqisë znj. Dora Bakojanis ka patur një takim të zyrtarizuar me kreun e Omonias në Shqipëri z. Bollano si dhe me kreun aktual të PBDNJ-së, z.Vangjel Dule. Takimi sipas informacioneve konfidenciale ka patur dy shtylla kryesore. E para ka qenë ankesa që i është bërë Ministres së Jashtme greke nga z. Dule mbi mosmarrjen përsipër të diplomacisë së Athinës për të bërë presion mbi të pabindurit e minoritetit që janë shkëputur tashmë nga zgjedha e kreut ende në detyrë të PBDNJ-së dhe kalimin e tyre me Partinë Demokratike. Dhe pjesa tjetër që ka qenë edhe më interesante ka patur të bëjë me konfirmimin e qortimit të dukshëm që Athina zyrtare u ka bërë lëvizjeve personale të z. Vangjel Dule e që janë paraqitur si kolegjiale nga ana e tij.


Për sa i përket ankesës që z. Dule ka bërë tek znj. Bakojanis ka luajtur rol edhe vizita e fundit e Zëvendësministrit të Jashtëm të Greqisë z. Kasimis në datat 25 dhe 26 maj në Gjirokastër dhe Sarandë dhe përjashtimi që i është bërë z. Dule nga Athina zyrtare nga ceremonitë e zhvilluara gati në të gjitha zonat minoritare ku Greqia në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ka bërë investime infrastrukturore. Lënia jashtë e z. Dule ka qenë edhe mesazhi i qartë i Greqisë se nuk do më që personi, i cili nuk merr parasysh interesat e gjera të minoritetit dhe që nuk di të mbjaë balancat e nevojshme të jetë në krah të përfaqësuesve zyrtare të politikës greke. Kaq e dukshme ka qenë kjo sa edhe Ambasadori grek në Tiranë si dhe Konsulli grek i Konsullatës së Gjirokastrës nuk kanë mundur të bindin njerëzit e afërt të z. Kasimis që të përfshijë në turin e vet edhe emrin e z. Vangjel Dule. Përkundrazi, Athina zyrtare sic edhe doli nga pamjet publike që u shfaqën në ekranet e televizioneve, ka mirëpritur pjesmarrjen e zyrtarëve dhe kryediplomatëve shqiptarë në turin e Zëvendësministrit të Jashtëm të Greqisë në jug të Shqipërisë. Shenjë e qartë kjo e mbështetjes reciproke të Athinës dhe Tiranës për rrugën që duhet të vazhdojë qeverisja në Shqipëri. Në këtë kontekst, pezmatimi i z. Dule është i qartë dhe pamundësisht i fshehur, ndërsa veprimet e tij prej qaramani janë shfaqje të panikut pas bashkimit me partinë e katandisur “një gra, një gru”.


Z. Dule i pamësuar më parë për të bërë zgjedhje të zgjuara politikisht dhe me nuhatje politikani, pasi kodi elektoral dhe sistemi mazhoritar e favorizonin për të shkuar nga frynte era, është penduar në vetvete që zgjodhi të konkurrojë krah të majtës dhe kërkon ndihmën e “mamasë” që t’u tëheqë veshin burrave të shtëpisë që ta futin edhe atë në lojën e tyre. Por pas takimit të paralajmëruar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, zotit Dule do t’i duhet t’i përballojë vetëm sfidat e zgjedhjes dhe të rreshtimit të tij përkrah humbësve të mundshëm të zgjedhjeve parlamentare. Madje edhe kërkesa e tij bërë znj.Bakojanis për ndërhyrje tek qeveria “Berisha” në mënyrë që të mos ikin nga puna militantët dhe disa sekretare të Dules të punësuara në Ministrinë e minoritarëve, nuk janë konsideruar nga pala greke, e cila në mënyrë të përsëritur dhe të publikuar e ka bërë të qartë se nuk ngatërrohet në çështje të partive shqiptare dhe si rrjedhojë as në politikat shtetërore. Për më tepër zotit Dule i është kujtuar që të marrë përsipër edhe koston e lëvizjeve të tij politike dhe jo vetëm dividentët e kësaj pune.


Për sa i përket shuplakës që znj. Bakojanis dhe qeveria greke i ka dhënë z. Vangjel Dule në takimin e datës 28 maj 2009 në Athinë, ajo ka të bëjë me nxitjen e shpërbërjes së PBDNJ-së nga z. Dule dhe kalimin e votuesve të minoritetit drejt partive kryesore shqiptare dhe së fundmi edhe alternativa e shkrirjes së tyre totale me to duke likujduar kështu ekzistencën e një force politike mbi baza etnike. E thënë ndryshe, tashmë roli i z. Dule është i panevojshëm si negociator. Gjithsesi, edhe pse PBDNJ prej kohësh nuk përfaqësonte më shumicën e minoritetit, luajaliteti i figurave të njohura brenda kryesisë së kësaj partie dhe këmbëngulja e tyre për të mbajtur një qëndrim të balancuar si me qeverinë ashtu edhe me opozitën kishte rezultate pozitive. Por me kalimin e njëanshëm të z. Dule në krah të partisë së Edi Ramës, e ardhmja e PBDNJ-së është nënshkruar me fund të hidhur.


Znj. Bakojanis, sipas të gjitha informacioneve i ka kujtuar zotit Dule se qëndrimi i Athinës zyrtare ka qenë për të forcuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe jo e kundërta duke i lënë kështu të nënkuptojë se edhe ai nuk mund të bënte përjashtim. Por nëse ai me dëshirë zgjodhi të mos lexojë mesazhet e Athinës zyrtare tashmë i vetëm duhet të zgjidhë lëmshin e krijuar brenda forcës së mbetur që ai drejton. Është e qartë se largimi i Prefektit të Gjirokastrës, distancimi publik i kreut të komunës së Selenicës, dalja publikisht kundër tij e zotërinjve Kosta Barka e Kristo Goxhi si dhe pritshmëria për dalje të tjera të reja në krah të Partisë Demokratike të njerëzve të bazës së votuesve të PBDNJ-së ka frikësuar zotin Dule. Ndaj edhe ai ka venë emrin e tij të parin në cdo qark të Shqipërisë ku ai mendon se mund të mbledhë vota. Me sa duket z. Dule ka qenë tepër i ngarkuar për të dëgjuar edhe mesazhin e ish Kryeministrit socialist, z. Fatos Nano, i cili u kujtoi të gjithëve se të bësh pazare me Ramën nuk është gjë tjetër vecse t’ia futësh vetes. Rasti i Ilir Metës është provë e gjallë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›