E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia me skemen Juventus

Pas dështimit në miqësoren me Rusinë, ku u mposht me shifrat e thella 3-0, Italia do të ndryshojë skemën e lojës. Lajmin e ka konfirmuar vetë tekniku Çezare Prandeli, që për ndeshjen debutuese në Euro 2012 do të rreshtojë në fushë një formacion 3-5-2. Kjo do të bëhet mbi të gjitha pas rikthimit në skuadër të mbrojtësit Xhorxho Kielini pas dëmtimit.

Drejtuesi i stolit “axurr” bëri të ditur se “nuk ka kohë për të eksperimentuar dhe ky ndryshim do të shërbejë për ti rikthyer qetësinë skuadrës, mbi të gjitha në fazën mbrojtëse”. Me fjalë të tjera, nëse nuk do të ketë dëmtime apo largime futbollistësh prej skadalit të basteve, të dielën e ardhshme Italia do të zbresë në fushë duke u mbështetur te blloku “Juventus”.

Bardhezinjtë do të përbëjnë repartin difensiv me Bufon në portë e Bonuçin, Barxaljin e Kielinin në mbrojtje. Në krahët e mesfushës do të luajë Maxho dhe Balxareti që janë mësuar me këtë rol te Napoli dhe Palermo, në qendër De Rosi, Markizio e Pirlo, ndërsa sulmi përbëhet nga dyshja Kasano-Baloteli.

Me këtë ndryshim taktike, Italia do të paraqitet në fushë pa fantazist të mirëfilltë dhe Montolivo që nuk bindi kundër Rusisë do të qëndrojë në stol, si alternativë e Pirlos.

Ndërkohë, për Euro 2012-ën, Prandeli hodhi poshtë edhe mundësinë që kampionët e botës në vitin 2006 të luajnë me tre sulmues, pra me Xhovinkon në krah të Balotelit dhe Kasanos, duke deklaruar se “për momentin kjo taktikë lojë është e pamundur”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›