Italia, miraton shkurtime të mëdha në buxhet

Qeveria e Italisë, në një përpjekje për të balancuar buxhetin e saj në dy vjet, ka miratuar shkurtime të mëdha të buxhetit si kusht i vënë nga Banka Qendrore Evropiane, megjithë kundërshtimin e fortë nga udhëheqësit rajonalë sipas të cilëve masat e marra do të dëmtojnë të varfrit. Pjesëmarrësit në mbledhjen e kabinetit thanë se masat shtrënguese përfshijnë shkurtime me vlerën 20 miliard euro për vitin e ardhshëm dhe 25 miliard euro për vitin 2013.
Paketa e re, ka për qëllim balancimin e buxhetit të Italisë deri në vitin 2013, ndërkohë që në këmbim të kësaj Banka Qendrore Evropiane do të mbështesë bonot e thesarit të Italisë. Normat e interesit të bonave të thesarit u rritën javën e kaluar, duke rritur frikën e investitorëve se Italia mund të detyrohet të kërkojë ndihmën ndërkombëtar për të zgjidhur problemin e borxhit.
Ministri italian i Financave, kohë më parë tha se borxhi, që tani ka arritur në kuotën 120 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, është “i jashtëzakonshëm” dhe tregon se ligjet aktuale të buxhetit nuk janë duke funksionuar, ndërsa gjatë fjalës së tij, kryeministri Berluskoni i quajti masat si të dhimbshme, por të pashmangshme.
Masat e reja “shfuqizojnë” paketën e miratuar në muajin korrik që synonte balancimin e buxhetit brenda 2014-s. Italia është ekonomia më e madhe e eurozonës e prekur nga kriza borxheve dhe për të shmangur kolapsin e saj ndërhyri edhe Banka Qendrore Europiane që tha se ishte e gatshme të blinte borxhin italian.
Ndërkohë, tregjet e aksioneve në Evropë u rriten të premten për të dytën ditë me radhë, ndërkohë që edhe në Shtete e Bashkuara tregjet e aksioneve shënuan përparime.