Muri i Berlinit, përkujtohet 50-vjetori i ndërtimit

50 vjet më parë, më 13 gusht 1961, pushtetmbajtësit e RDGJ-së ngritën me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik Murin e Berlinit. Rrugët në drejtim të pjesës perëndimore të qytetit u mbyllën për 28 vjet me radhë. Me një aktivitet përkujtimor dhe me një minutë heshtje, do të kujtohen sot në Berlin, viktimat e Murit të ndërtuar para 50 vjetësh.
Megjithëse i ashtëquajturi brezi i vdekjes, që përbëhej nga beton dhe tela me gjemba ishte pothuaj i pakalueshëm, shumë gjermano-lindorë bënë përpjekje për t`u arratisur, përpjekje gjatë të cilave të paktën 136 prej tyre humbën jetën. Por tani është gjallëri e madhe në urën Sandkrugbrucke të Berlinit. Mijëra makina kalojnë në këtë urë mbi kanalin e lundrueshëm Berlin -Spandau. Në anën e lumit Spree, në sfond duket stacioni i ri i trenit. Këtu ka qenë pika kalimtare e kufirit në Rrugën Invalidenstrabe.
Një gur përkujtimor që nuk bie në sy kujton fatin e të riut, që ishte viktima e parë e marrë në shënjestër nga ushtarët që ruanin murin. 14 ditë më parë pushtetmbajtësit e RDGJ kishin filluar të rrethonin Berlinin perëndimor. Punimet për ndërtimin e tij u bënë me ndërgjegjen e lartë gjermane.
Një kronist fliste në atë kohë në radio: “Telat me gjemba të shtruara mbi rrugët, nuk mjaftojnë më. Muajt e parë pas ndërtimit të murit, shumë vetë arritën të shkonin në perëndim nëpërmjet një tuneli të fshehur. Senati i Berlinit perëndimor përpiqej të ndikonte mbi lindjen nëpërmjet fuqisë të fjalëve: "Këtu flet "Studio me tela me gjemba". Lufta në ajër zhvillohej direkt tek Muri i Berlinit. Zëri i kryetarit të Bashkisë Willy Brandt, dëgjohej deri në thellësi të Berlinit lindor: "Mos lejoni t`ju bëjnë lecka! Tregoni sjellje njerëzore. Kudo ku të jetë e mundur! Por kryesore është të mos qëlloni mbi bashkatdhetarët! Të gjithë do të gjykohen një ditë për sjelljen e sotme".
Profecia e Willy Brandt u përmbush mbas rënies së Murit, megjithëse jo ashtu siç e prisnin viktimat e shumta dhe të afërmit e tyre. Në proceset e Murit, pati shumë ushtarë të kufirit që dolën në bankën e të akuzuarve por shumica e tyre u lirua me kusht. Edhe ai që në shkurt 1989, qëlloi mbi 20 vjeçarin, Chris Gueffroy.
Ai ishte viktima e fundit që u vra shtatë muaj para rënies së Murit. Emri i tij është shkruar po ashtu si emri i Günter Litfin-it në kryqet e bardha të vendosura në breg të Lumit Spree, direkt krah ndërtesës së parlamentit.