E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia mirëpret mesazhin e Obamës për Iranin

Romë - Mesazhi që Presidenti amerikan Barak Obama i drejtoi Teheranit zyrtar për dhënie fund të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve është mirëpritur edhe nga Roma zyrtare. Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini përshëndeti sot "lidershipin e madh" që dëshmoi presidenti amerikan, Barak Obama me mesazhin e tij të hapjes drejtuar Iranit. Gjatë një interviste televizive, Frattini vlerësoi presidentin Obama si një lidership të madh.

"Është një ndryshim i madh në drejtimin e uruar nga Italia. Hapin tjetër do ta shohim në Hagë, ku në fund të muajit do të zhvillohet një konferencë ndërkombëtare mbi Afganistanin, në të cilën Irani është ftuar nga Shtetet e Bashkuara. Do të shohim nëse Irani do të dërgojë ministrin e tij të Punëve të Jashtme, Manouchehr Mottaki, gjë që personalisht e uroj, sepse Irani ka një influencë të madhe mbi Afganistanin dhe mund të ndihmojë, veçanërisht, në luftën kundër trafikantëve të drogës”, shtoi Frattini.

Enkes Hysendhima, Start, Rome-Itali

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›