E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr te Franca, pres një kundërsulm gjelash

Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, është i bindur se sonte do të ketë përballë një Francë të uritur për të fituar, ndaj në konferencën për shtyp theksoi qartazi se nuk u beson përplasjeve që kanë pasur gjelat pas humbjes me Suedinë. Tekniku i furive të kuqe ka vënë në dukje faktin se Franca ka në organikën e saj  mjaft lojtarë cilësorë, të cilët mund të të ndëshkojnë në çdo moment. Ti lëmë pas sherret dhe përplasjet. Unë nuk besoj se ato do të ndikojnë te ndeshja e nesërme (sot). Madje, kam dëgjuar të thuhet se Franca do të mbyllet në mbrojtje. Nuk e besoj kurrë edhe një gjë të tillë. Ata kanë lojtarë cilësorë, që mund të marrin në çdo moment iniciativa dhe nuk besoj se do të rrinë në gjysmëfushën e tyre duke na pritur. Ata humbën një ndeshje ndaj Suedisë, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi deri në atë moment nuk humbnin prej shumë kohësh, duke treguar formën e shkëlqyer që po kalonin. Blank është një trajner mjaft i mirë dhe ka në organikë lojtarë si Riberi, Nasri dhe Benzema. Ky i fundit është një lojtar i fortë, i cili ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm te Reali në Spanjë, por problemi nuk është vetëm ai, – pohoi tekniku.

Blank: Pas sherrit bëra ndryshime
Trajneri i Francës, Loran Blank, thekson se sherri në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me Suedinë ka ndikuar në ekip, ndërkohë që do të bëjë ndryshime në formacion. Pas Suedisë kishte dy-tri përplasje, por u përpoqa që ta qetësoja gjendjen. Megjithatë, kishte disa tronditje dhe paradoksi ishte se ne u kualifikuam në çerekfinale. Nisur nga kjo, por edhe nga pezullimi i Mekses, do të bëj ndryshime në formacion për ndeshjen me Spanjën. Luajmë ndaj Kampiones së Botës, ndaj do të jetë shumë e vështirë, thotë Blank.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›