E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia ndihmon FSK-në me një donacion 2 milion eurosh

Prishtinë - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi ka pritur sot ambasadorin e Republikës së Italisë në Prishtinë Michael Giffon. Në takim kanë marrë pjesë edhe Fehmi Mujota ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, Rrahman Rama. Giffon ka thënë se Parlamenti italian miratoi një donacion dedikuar për fondin e Forcës se Sigurisë se Kosovës. Sipas tij, “Është një kontribut prej 2 milion eurosh që janë miratuar nga parlamenti italian, të cilin do ta menaxhojë FSK së bashku me KFOR-in për t’i përdorur këto para për nevoja te FSK-së, kështu që kjo ishte një arsye e veçantë për ta takuar zëvendëskryeministrin Kuçi dhe ministrin e FSK-se, Mujota”.

Ministri Fehmi Mujota me këtë rast ka pohuar se në kuadër të programit të koordinuar për shfrytëzimin e mjeteve financiare për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës po punojmë në një plan me NATO-n dhe KFOR-in . “Këto mjete do të shpenzohen në mënyrën më transparente të mundshme dhe në vendin më të duhur. Ky është një kontribut që ne e çmojmë shumë, sepse vjen në momentin më të rëndësishëm për të quar porositë pozitive për gjithë opinionin që do të ndihmojë në ngritjen e Forcës së Sigurisë, në këtë rast mendoj në vendet aleate të NATO-s dhe vendet mike të Kosovës”, ka pohuar ministri i FSK-së Fehmi Mujota.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi premtoi se donacioni do të shfrytëzohet në mënyrë transparente për të mirën e Forcës së Sigurisë dhe do të shihet gjithsesi kontributi i Qeverisë italiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›