E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, në 18 vite partneri kryesor i Shqipërisë në marrëdhëniet ekonomike

Nga 1991-shi deri sot, Italia ka investuar në vend mbi 650 milionë euro. Sot numërohen mbi 500 ndërmarrje italiane që punojnë në Shqipëri

Ervin Koçi

Vizita e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, dje në Shqipëri, jo vetëm ka konfirmuar edhe një herë peshën kryesore të marrëdhënieve ekonomike me Italinë, por i ka dhënë edhe një shtysë të re bashkëpunimit të deritanishëm tregtar midis të dy vendeve. Që prej vitit 1991, Italia ka zënë vendin e parë në marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë, ku, pas dhënies së ndihmës humanitare për kapërcimin e krizës së urisë në vend, ajo nisi të shfaqej edhe si një partner kryesor në fushën e investimeve ekonomike duke mundësuar hapjen në vendin tonë të ndërmarrjeve të para kapitaliste. Totali i investimeve të huaja direkte italiane prej fillimit të vitit 2008 është rritur 5.3 për qind, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Nga viti 1991 e deri sot, Italia ka angazhuar për “Kooperacionin italian për Zhvillimin e Shqipërisë” më shumë se 650 milionë euro, një shifër që e bën Italinë investitorin më të madh në vend dhe një nga donatorët më të rëndësishëm, bashkë me Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian.
Sot numërohen mbi 500 ndërmarrje italiane që punojnë në Shqipëri, 50 për qind e të cilave janë përqendruar në zonën Tiranë-Durrës, ku dominojnë fabrikat e prodhimit të konfeksioneve dhe të këpucëve, të pasuara nga ato të materialeve të ndërtimit, etj.

Tregtia

Italia përfaqëson tradicionalisht partnerin e parë tregtar dhe më kryesorin për Shqipërinë që pas hapjes së saj në vitin 1991. Gjithashtu, ajo është një nga investitorët kryesorë, me një fluks total të investimeve direkte që arriti në 53 milionë usd në vitin 2007. Marrëdhëniet tregtare midis Italisë dhe Shqipërisë kapin shumën totale të rreth 1 miliard eurove. Italia zë gjithashtu edhe vendin e parë për investimet e huaja në Shqipëri, kryesisht në sektorin tregtar, industrial dhe të shërbimeve. Vetëm për periudhën janar-tetor 2008, importet e mallrave nga Italia kapën vlerën e mbi 84 miliardë lekëve, kundrejt 67 miliardë lekëve në vitin 2007, ndërsa eksportet arrijnë vlerën e 54 milionë lekëve, kundrejt 46 miliardë ????????????????lekëve mallra në vitin 2007. Me një volum shkëmbimesh të përgjithshme eksport-import prej 48 për qind, Italia mbetet partneri i parë i Shqipërisë në tregtinë e jashtme edhe këtë vit. Biznesi shqiptar gjithnjë e më shumë po furnizohet me makineri, pajisje dhe teknologji bashkëkohore nga Italia. Makineritë dhe pajisjet që u importuan nga Italia në vendin tonë gjatë vitit të fundit zunë 24 për qind të totalit, prodhimet ushqimore 17.9 për qind, konstruksionet metalike 15.8 për qind, materialet e ndërtimit 14.3 për qind, tekstilet dhe këpucët 12.2 për qind.

Investimet private

Italia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë jo vetëm në shkëmbimet tregtare, por edhe në investimet private. Rreth 90 për qind e ndërmarrjeve private të vogla dhe të mesme të huaja të hapura në vendin tonë janë italiane dhe shtrihen në zonat kryesore ekonomiko-industriale të vendit dhe përgjatë bregdetit. Kryesisht ndërmarrjet italiane dhe ato të përbashkëta me biznesin shqiptar janë të shpërndara në rreth 35 për qind në sektorin e ndërtimit, 21 për qind në industrinë e tekstileve dhe këpucëve, 16 për qind në sektorin e tregtisë dhe të shërbimeve dhe 8 për qind në industrinë ushqimore. Ndërkohë edhe prodhimet italiane në tregun shqiptar zënë një peshë të konsiderueshme, duke u renditur në vendin e parë në raport me vendet e tjera të rajonit ballkanik. Sipas Institutit Italian të Tregtisë me Jashtë (ICE), importet kryesore nga Italia në Shqipëri zënë 33 për qind të totalit në tërësi. Ndërsa sipërmarrësit italianë zënë vendin e parë përsa u përket investimeve në vendin tonë në fushën e industrisë së lehtë, përfshi atë të konfeksioneve dhe të këpucëve, kryesisht në ndërmarrjet që punojnë me material porositësi (fasonët), të cilat zënë 37.8 për qind të totalit.

Marrëveshja “Kuadër” me Italinë, lehtësira në hyrje-dalje për shtetasit italianë

Vizita e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, dje në Tiranë ka përkuar edhe me firmosjen e marrëveshjes “Kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim”, të nënshkruar nga ministri i Financave Ridvan Bode dhe ambasadorit italian në Tiranë, Saba D’Elia, për Kooperacionin Italian të Zhvillimit. Me anë të kësaj marrëveshjeje parashikohen lehtësira për kryerjen e aktiviteteve dhe shërbimeve të Kooperacionit. Përsa u përket kushteve që zbatohen për personelin e huaj, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë zotohet të garantojë: dhënien e shpejtë dhe gratis të vizës me shumë kalime si në hyrje ashtu dhe në dalje si dhe lëvizjen e lirë brenda vendit; dhënien e çdo lloj lejeje apo licence (midis të tjerash lejen e vendqëndrimit, të punës, të kërkimit); përjashtimin nga tatimi mbi fitimin personal dhe nga çdo lloj takse tjetër që ka të bëjë me kompensime të dhëna nga qeveria italiane; të drejtën e importit dhe të rieksportit, pa taksa doganore dhe pa asnjë lloj takse tjetër, të të mirave materiale dhe pajisjeve profesionale të nevojshme për kryerjen e misionit të tyre. Marrëveshja do të vihet në jetë për të gjitha projektet në zbatim e sipër dhe për projektet në programim, në datën e hyrjes në fuqi, me përjashtim të ndonjë parashikimi tjetër nga marrëveshja e projektit. Teksti rregullon në mënyrë të detajuar format e Kooperacionit për Zhvillim, si dhe mënyrat e identifikimit të programeve dhe të projekteve dhe kushtet lidhur me personelin e tyre, institucionet ndërkombëtare, organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet, që veprojnë në këtë sektor me anë të kontributit të Kooperacionit italian për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane.

3 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›