LSI: Berisha të tërhiqet nga ligjet që dëmtojnë reformën në Drejtësi
Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshton forcërisht projektligjet e propozuara nga maxhoranca, që kanë të bëjnë me reformën në Drejtësi. Anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Brizida Gjikondi, tha se këto ligje të rëndësishme po çohen për aprovim në Parlamentin shqiptar pa u konsultuar më parë me grupet e interesit, pa përmbushur orientimet e kriteret e BE-së, duke deformuar kështu themelet e sistemit të drejtësisë shqiptare. “LSI-ja shpreh shqetësimin maksimal ndaj qeverisë ‘Berisha’, e cila injoron dhe nuk merr në konsideratë Progres-raportin e fundit të BE-së, i cili ishte kritik në lidhje me rrugën që po ndiqte kjo maxhorancë kundrejt reformës në Drejtësi”, - tha Gjikondi. Ajo i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të tërhiqet nga qëllimi i tij për të realizuar një reformë jo të mirëfilltë, por një reformë që i shërben klanit që përfaqëson pushtete antikushtetuese. “E ftojmë kryeministrin Berisha të reflektojë, e ftojmë kryeministrin Berisha mos ta shikojë reformën në Drejtësi si një mjet për t’i shtuar vetes dhe klanit që përfaqëson pushtete antikushtetuese. Si dhe i tërheqim vëmendjen se kundrejt një sistemi drejtësie me kaq shumë probleme si ai shqiptar, duhet që reforma në Drejtësi të udhëhiqet nga gjithëpërfshirja, konsultimi dhe harmonizimi me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Kjo filozofi është e detyrueshme për mirëfunksionimin dhe jetëgjatësinë e këtij sistemi”, - vijoi Gjikondi. Në emër të LSI-së ajo i bëri thirrje Partisë Socialiste dhe kreut të saj, Edi Rama, që të kundërshtojë dhe të mos japë konsensusin e saj për miratimin e këtyre ligjeve që kanë të bëjnë me reformën në fjalë. “LSI-ja, kundrejt një reforme kaq thelbësore për shtetin shqiptar, siç është ajo në Drejtësi, i kërkon publikisht kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, të jetë më konkret në pozicionimet që mban kundrejt kësaj reforme. Pasi kjo reformë nuk është mjet, as qëllim për të rritur presionin dhe pazaret e Ramës ndaj Berishës, por një ardhmëri decizive për fatet e Shqipërisë europiane”, - tha Gjikondi.
3 Dhjetor 2008