Parqet energjetike në Shqipëri, ERE licencon 7 centrale në dy vite
Vetëm dy vitet e fundit, Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë leje për ndërtimin e 7 centraleve të mëdhenj me erë dhe një termocentrali me biomasë, që së bashku do të kenë një fuqi të instaluar prej 1500 megavat dhe ku do të investohen mbi 2 miliardë euro. Pjesa dërrmuese e projekteve përfundojnë në vitin 2011 dhe vetëm parku i Karaburunit në Vlorë, që është më i madhi, pritet të jetë gati në vitin 2014. Nëse projektet ecin sipas parashikimeve kalendarike, në Shqipëri do të prodhohet shtesë rreth 4 miliardë kilovat/orë energji elektrike në vit, sasi kjo e barabartë me prodhimin aktual vendas nga burimet hidrike. Shumica e këtyre centraleve të rinj do të ndërtohen nga shoqëri italiane. Paraprakisht dihet se pjesa më e madhe e energjisë e prodhuar nga këto impiante të reja është e destinuar për konsum në tregun italian. Për projektet përkatëse nuk ka ende të dhëna publike se sa do të jetë sasia e energjisë që do të mbetet për konsum në tregun shqiptar, por ajo që dihet me saktësi është se pjesa dërrmuese e energjisë do të kalojë në tregun italian. Gjithsesi, ndarja e sasisë së energjisë do të përcaktohet nga marrëveshjet respektive që do të bëhen mes qeverisë shqiptare dhe kompanive të huaja që do të investojnë në këtë fushë.
3 Dhjetor 2008